Eralda Baze

28 Nëntor 2026

…Në artikull përfshihen edhe dëshmi të qytetarëve pjesëmarrës në protestë. Një prej tyre, Eralda Baze, 45 vjeçe, inxhiniere, citohet të jetë shprehur: “Mjaft është mjaft; korrupsioni, varfëria, emigracioni”.

Protesta e zhvilluar këtë 28 Nëntor në Tiranë ka marrë vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. Agjencia prestigjioze e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull zhvillimeve në Shqipëri, duke raportuar për përshkallëzimin e protestës kundër kryeministrit Edi Rama.

Në raportimin e saj, Reuters shkruan se dhuna shpërtheu gjatë protestës së udhëhequr nga studentët, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, pas disa muajsh demonstratash kundër qeverisë.

Sipas agjencisë, protestuesit e mbledhur në kryeqytet me rastin e Ditës së Pavarësisë hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të forcave të policisë, të cilat iu përgjigjën me autobote uji, gaz lotsjellës dhe plumba gome

Reuters thekson se pakënaqësia e qytetarëve lidhet me perceptimin për korrupsionin në qeveri, mungesën e vendeve të punës dhe standardet e dobëta të arsimit.

Agjencia raporton gjithashtu se protestuesit, disa prej të cilëve të maskuar, kanë qëlluar me gurë drejt një godine qeveritare dhe janë përpjekur të afrohen te zyra e kryeministrit, por janë zmbrapsur nga policia.

Në artikull përfshihen edhe dëshmi të qytetarëve pjesëmarrës në protestë. Një prej tyre, Eralda Baze, 45 vjeçe, inxhiniere, citohet të jetë shprehur: “Mjaft është mjaft; korrupsioni, varfëria, emigracioni”.

Në raportim përmenden gjithashtu skandalet e korrupsionit që kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë ndër vite, si dhe përpjekjet e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian, me objektivin për t’u anëtarësuar deri në vitin 2030.

Nga ana tjetër, Reuters thekson se qeveria e Ramës mohon akuzat për korrupsion dhe ka bërë thirrje për dialog me protestuesit. Sipas agjencisë, qeveria ka prezantuar edhe masa ekonomike, përfshirë uljen e çmimit të karburantit dhe mbështetje financiare për familjet në nevojë, në përpjekje për të frenuar protestat.

Artikulli e cilëson këtë situatë si sfidën më të madhe deri më tani për Ramën, i cili qeveris Shqipërinë që prej vitit 2013 dhe fitoi mandatin e katërt vitin e kaluar.