03.07.22

Gazetarët kanë paralajmëruar një protestë ditën e nesërme, pas episodit të kryeministrit Edi Rama i cili “dënoi” gazetarin Klevis Muka për të mos marrë pjesë në konferencat e kreut të qeverisë për 3 muaj.

Sipas njoftimit të shpërndarë në rrjetet sociale, protesta është njoftuar në orën 19:00 përpara Kryeministrisë.

Dy ditë më parë, gjatë konferencës për shtyp që po zhvillonte kryeministri Rama, gazetari Muka i drejtori një pyetje ministres Olta Xhaçka lidhur me bashkëshortin e saj për çështjen e investitorit strategjik.

Në këtë moment, ndërhyri kryeministri Rama i cili e “dënoi” gazetarin që të mos jetë i pranishëm në konferencat që do të zhvillojë kreu i qeverisë për 3 muaj.

Kjo ka sjellë një reagim të ashpër të gazetarëve dhe unionit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë së shtypit.

Për këto reagime, Rama shkroi në Twitter se nuk do të lejojë askënd që të shkelë normat etike në praninë e tij.

Rama përjashtoi gazetarin nga konferencat, kolegët paralajmërojnë protestë! Ja kur pritet të zhvillohet

Reagimi i plotë nga kryeministri Edi Rama:

E përshëndes si shprehje lirie sulmin e disave,që në emër të lirisë së medias kërkojnë legjitimim për lirinë e shkeljes së normave etike deri brenda konferencave të mia për shtyp, sepse jashtë tyre tanimë kjo liri është e legjitimuar plotësisht! Por kërkesa s’mund të plotësohet. Jemi tërhequr nga përpjekja për ta normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes, që në epokën e rrjeteve sociale ka marrë përmasa katastrofike! Nuk e kemi bërë as nga frika, as nga presionet po si reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim. Ku është vetërregullimi? Nejse, do ta presim pa shpresë se do vijë! Por ndërkohë nuk ka për të ndodhur që të legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy në praninë time. E kam ndryshuar ka kohë qasjen time, jo se janë zhdukur kazanët po se kam reaguar ndaj kritikave.

Gazeta Shqiptare