4 Mars 2023

Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit që ktheu në Shkallën e Parë për gjykim të çështjes së Vulës dhe Logos së Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbledhur në selinë blu Kryesinë.

Ai tha se vendimi i djeshëm është pjesë skenarit të Edi Ramës për eliminimin e opozitës, i cili siç tha ai, pasi dështoi me Lul Bravën mendon se do ta çojë deri në fund këtë skenar me Alibeajn.

“E thirrëm këtë mbledhje për të diskutuar lidhur me vendimin e fundit të Edi Ramës për të bllokuar regjistrimin e PD-së në zgjedhje dhe të marrë për vete vulën e kësaj partie. Ky moment është dëshmia flagrante e tmerrit dhe ferrit që ka kapur Edi Ramën, mafien shqiptare të tij, por e vërteta është edhe segmente të mafies ndërkombëtare. Ata e shohin se demokratët janë të pamposhtur. Ata u përpoqën t’i japin PD-së goditje fatale, duke i mbajtur një kufomë politike, një peng politik në krye të saj, që e akuzonin publikisht dhe ligjërisht si një kukull të financuar nga rusët, dhe sipas tyre, sipas Edi Ramës, por e vërteta sipas guvernatores Yuri Kim, ky ishte i përshtatshëm për të drejtuar forcën kryesore opozitare.

Ky është paradoksi më i madh, jo për Edi Ramën. Ai ka origjinë xhelatësh ndaj pluralizmit politik. Është në genin e tij. Përfaqësuesja e vendit të madh të lirisë, të përpiqet me të gjitha mënyrat, më flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës, që opozita shqiptare të drejtohet nga një njeri i financuar nga rusët, nuk ka paradoks më të madh se ky. Por këta skenarë që filluan me McGonigal dhe Xhorxh Soros, me një qëllim të vetëm, çelnikosjen e pushtetit të Edi Ramës, vazhduan me procese, në të cilat Lulzim Basha u fut në thes, dhe tani Edi Rama mendon se pasi dështoi me Bravën, do e ringjallë Bashën me Vulën. Në procesin gjyqësor të shpalljes palë të atij që nuk është palë, një rol të dorës së parë ka luajtur Yuri Kim, që ka ndërhyrë të gjykatësja me Erion Veliajn. Këto janë të faktuara.

Vendimi i djeshëm është turp dhe faqe e zezë. Vendimi u shkrua nga Edi Rama dhe u dërgua në gjykatë nga Elira Kokona, ndihmësja e Don Agaçios, e shquar për vendime korruptive, dhe u lexua. Më këtë rast, u them demokratëve, që sigurisht se Edi Rama mendoi të na japë një goditje. Por në të vërtetë na dha një kushtrim. Ai nxori fytyrën e tij siç e ka. I gatshëm dhe i aftë të marrë çdo vendim, të mbajë çdo qëndrim. Të gjithë ata që u angazhuan në luftën kundër opozitës, janë në llojin e tyre McGonigalë, pavarësisht rolit që kryejnë, ambasadorë apo këshilltarë.

Opozita shqiptare do mbetet opozita më properëndimore në historinë e vendit dhe të rajonit. Demokratët janë sot të thirrur të vazhdojmë revolucionin tonë. Janë ata që veprojnë në këtë mënyrë, që u kemi kallur tmerrin dhe datën. Janë ata që kërkojnë në mënyrat më antiligjore, më antikushtetuese që të na largojnë nga gara. Janë ata që mendojnë se në këtë mënyrë, do gjejnë paqen që nuk e meritojnë. Në fakt do u rezervojmë të kundërtën”, deklaroi Berisha.

Nga OraNews