Publikohet pamjet e rrëmbimit të Enver STAFUKËS! Në VIDEO duket Durim Bami dhe Ramazan Rraja

3 NËNTOR 2021

Janë publikuar për herë të parë pamjet e reja të rrëmbimit të Enver Stafukës, një emër tepër i njohur në kronikën e zezë.

Stafuka u rrëmbye shtatë vite më parë nga disa persona të veshur me uniformat e policisë, ndërsa dyshohet se është vrarë dhe trupi i tij është zhdukur.

News 24 ka publikuar pamjet e rrëmbimit të Stafukës, i dyshuar si i përfshirë por edhe me njohuri të shumta për disa ekzekutime të bujshme me pagesë. Për herë të parë del Durim Bami dhe Ramazan Rraja në skenë. Personi i tretë është Gentjan Bejtja ndërsa një person i katërt mbetet ende i paidentifikuar.

Siç shikohet edhe nga pamjet e plota, i pari që vjen në sheshin para lokalit dhe që zbret nga makina është Enver Stafuka. Dhe ora shënon 19:23 minuta.

Menjëherë pas tij, vjen Gentjan Bejtja. Më pas siç dallohet në video, vjen Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. I fundit që i bashkohet grupit është Durim Bami, personi që shikoni në pamje që zbret nga makina në anën tjetër të rrugës.

Siç vihet re në vazhdim, të katër personat, futen në lokal. 21 minuta më pas, i pari që del nga lokali është Ramazan Rraja, emri i të cilit përmendet për herë të parë në këtë histori. Ky i fundit, nxiton, merr makinën dhe largohet. Vetëm një minutë pas tij, nga lokali po me nxitim, del Enver Stafuka. Janë momentet e fundit përpara rrëmbimit.

Stafuka dyshohet si personi që i kishte siguruar makinën autorëve të vrasjes së komisarit Dritan Lamaj. Për vrasjen e Lamajt Arben Frroku është dënuar me burgim të përjetshëm.

Gazetari Artan Hoxha shpesh është shprehur se Stafuka ka patur dijeni për rreth 37 ngjarje kriminale, dhe se mund të ketë lënë pas një kasetë me rrëfimet për këto ngjarje ku ka treguar emrat e porositësve dhe kriminelëve./BW

Nga Gazeta Shqip