Protestuesit u shkojnë deputetëve në tavolinë në Strasburg – Rama në Burg, Balla në Burg.

9 Korrik 2026
Një video e publikuar së fundmi në mediat sociale dhe rrjetet e komunikimit tregon një përplasje verbale mes disa përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe një grupi qytetarësh shqiptarë në Strasburg.
Episodi ka ndodhur pas përfundimit të mbledhjes së 21-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KPSA) BE-Shqipëri.
Në pamjet e bëra publike, zyrtarë të lartë të mazhorancës – mes të cilëve Taulant Balla, Evis Kushi, Pirro Vengu dhe Arbjan Mazniku – shihen në ambientet e një hoteli duke luajtur lojën e letrave “Murlan”.
Sipas videos së regjistruar, të paktën dy qytetarë shqiptarë i janë afruar grupit të politikanëve dhe u janë drejtuar me pyetje lidhur me burimin e financimit të qëndrimit të tyre në hotel, duke hedhur akuza për përdorimin e taksave të qytetarëve.
Gjatë këtij momenti, qytetarët kanë thirrur parulla politike drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Taulant Balla.
Në përgjigje të këtyre thirrjeve, ministri Taulant Balla dëgjohet në video duke iu replikuar qytetarëve me fjalët: “Ju kanë paguar”.
Më pas Balla ka reaguar në rrjete sociale por nuk ka fajësuar këtë herë as Greqinë, as Iranin, as Rusinë. Ai iu rikthye gogolit të vjetër dhe efikas, Saliut ndërsa personat që kërkojnë llogari për taksat i quajti sorra.

Incidenti vjen në kontekstin e protestave masive që kanë përfshirë vendin prej gati 6 javësh dhe risjell në vëmendje debatin mbi transparencën e shpenzimeve të delegacioneve zyrtare jashtë vendit dhe etikën e sjelljes publike të zyrtarëve të lartë gjatë misioneve diplomatike.
Gazeta Dita
