31 nga 35 amendamentet e opozitës shqiptare marrin mbështetjen e eurodeputetëve

9 Korrik 2026
Pas miratimit me konsensus të 31 nga 35 amendamenteve të paraqitura nga opozita në rekomandimet përfundimtare të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Tabaku, njëherazi nënkryetare e Komitetit të Stabilizim-Asociimit, e cilësoi votimin e eurodeputetëve si një konfirmim të shqetësimeve të ngritura prej kohësh nga opozita mbi gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit, ekonominë dhe funksionimin e institucioneve në Shqipëri.
Sipas saj, amendamentet e miratuara tregojnë se procesi i integrimit europian është përdorur nga qeveria si mbulesë për miratimin e ligjeve që favorizojnë një pakicë të privilegjuar, në vend që të shërbejë për ndërtimin e standardeve europiane dhe demokratizimin e vendit.
“Integrimi është trajtuar si noter i zullumeve të pushtetit, jo si instrument për demokratizimin e vendit”, shkruan Tabaku.
Deputetja e PD-së nënvizon se rekomandimet evidentojnë shkrirjen e partisë me shtetin, përdorimin politik të administratës dhe institucioneve, keqpërdorimin e të dhënave të qytetarëve dhe kthimin e administratës publike në një makineri elektorale në funksion të pushtetit.
Një tjetër çështje e rëndësishme e përfshirë në amendamentet e opozitës lidhet me mbrojtjen e pavarësisë së SPAK-ut dhe ndalimin e çdo ndërhyrjeje politike ndaj drejtësisë.
Tabaku thekson se SPAK është vendosur vazhdimisht në shënjestër sa herë hetimet kanë prekur njerëz të lidhur me pushtetin, ndërsa institucionet janë përdorur për të mbrojtur politikisht të hetuarit dhe për të penguar veprimin e drejtësisë.
Në reagimin e saj, ajo ndalet edhe te çështja e pronës, duke deklaruar se dosjet e fundit të SPAK-ut për krimin e organizuar kanë treguar se prona publike dhe private është trajtuar si plaçkë për t’u shpërndarë te klientët e qeverisë dhe grupet kriminale.
Ndërkohë, sipas saj, pronarët e ligjshëm vazhdojnë të sorollaten në dyert e administratës, pa marrë as pronën dhe as drejtësinë që u takon.
Tabaku deklaron se edhe prokurimet publike janë kthyer në një mekanizëm shpërblimi për njerëzit dhe kompanitë që i shërbejnë sistemit të pushtetit, duke dëmtuar konkurrencën dhe ekonominë e tregut.
Një nga pikat kryesore të amendamenteve të miratuara është kërkesa për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike.
Tabaku kujton se Partia Demokratike ka kërkuar prej më shumë se tre vitesh shfuqizimin e këtij ligji dhe se opozita ka depozituar sërish në Kuvend një nismë konkrete ligjore.
“Ky ligj nuk solli zhvillim. Ai krijoi privilegje, përqendroi pasuritë publike dhe private në duart e një pakice dhe e ktheu shtetin në ndërmjetës të interesave klienteliste”, shprehet deputetja demokrate.
Sipas Tabakut, votimi i 31 amendamenteve nga eurodeputetët përbën një mesazh të drejtpërdrejtë për qeverinë shqiptare se Bashkimi Europian nuk pranon reforma vetëm në letër dhe as një proces integrimi të ndërtuar mbi propagandë.
“Europa kërkon shtet ligjor, konkurrencë, pronë të mbrojtur, drejtësi të pavarur dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve”, thekson ajo.
Në përfundim, Tabaku deklaron se Shqipëria nuk ka nevojë për një sistem që punon për një pakicë të privilegjuar, por për një shtet që mbron interesin e shumicës së qytetarëve.
