24 Prill 2023

Italia iu bashkohet vendeve si Franca, Gjermania, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, që do të japin falas pilulën për parandalimin e HIV-it. Medikamenti është përfshirë në listen e barnave të rimbursueshme.

Italia po pëgatitet të japë falas pilulën për parandalimin e HIV-it.

Shpërndarja e medikamentit do të paguhet nga shteti. Komiteti i Çmimeve dhe Rimbursimeve i Agjencisë së Barnave (CPR) ka dhënë dritën jeshile për rimbursimin.

Deri më tani, pilula që duhet marrë para marrëdhënieve me rrezik të lartë, kushtonte nga 50 deri në 60 euro për paketë.

Ilaçi është tashmë i përfshirë në grupin A, që do të thotë i rimbursueshëm nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar.

Lajmin e ka dhënë shoqata Anlaids Onlus, e cila ka luftuar kundër HIV dhe AIDS që nga viti 1985.

“Rimbursimi i pilules Prep – komenton Bruno Marchini, president i Anlaids – është një hap i rëndësishëm përpara në parandalimin e infeksionit HIV, pasi e bën ilaçin të përdorshëm nga të gjithë njerëzit. Shpresojmë që të merret plotësisht për të siguruar parandalim efektiv dhe ndërgjegjësim të plotë”.

“Prep funksionon dhe është një metodë e vlefshme për këdo, jo vetëm për burrat që bëjnë seks me burra të tjerë – tha Giovanni Di Perri, drejtor i klinikës së sëmundjeve infektive në Universitetin e Torinos.

Megjithatë, përdorimi i Prep nuk duhet të largojë vëmendjen nga parandalimi i infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme, si gonorreja dhe sifilizi, për të përmendur disa.

Në vitin 2021, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit në Itali, incidenca e diagnozave të reja të HIV-it ka qenë në rënie të vazhdueshme që nga viti 2012, por vitet e fundit përqindja e njerëzve të diagnostikuar vonë është rritur.

Franca, Gjermania, Spanja, Portugalia, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Mbretëria e Bashkuar e shumë vende të tjera, e japin tashmë falas pilulën Prep.