Përplasje në protestën e opozitës, Kikia: – Veprimet e policisë ishin të pajustifikuara dhe disproporcionale!

9 Maji 2026
Protesta e radhës e organizuar nga Partia Demokratike u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Sipas analistit Mentor Kikia, ndërhyrja e policisë këtë herë ishte dukshëm më e shpejtë dhe më agresive, duke sinjalizuar një ndryshim të qartë të strategjisë në krahasim me tubimet e mëparshme.
Duke analizuar ngjarjet në një studio televizive Kikia vuri në dukje se ndryshe nga protestat e kaluara, ku ekzistonte një “skenar rutinë” i fjalimeve që pasoheshin nga akte të dhunshme, këtë herë policia veproi për të parandaluar përshkallëzimin përpara se ai të fillonte.
Sipas tij, ky ndryshim kursi në sjelljen e policisë ka një pikënisje të qartë: protesta ku u sulmua me molotov ish-vila e diktatorit Enver Hoxha. Ai incident solli largimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të policisë dhe zëvendësimin e tij me një drejtues të ri, i cili duket se ka sjellë një qasje të re, më të ashpër dhe më pak tolerante.
Analisti shtron idenë se një nga qëllimet e kësaj strategjie të re është “t’i heqë instrumentin e PR-it protestës”.
Më herët, skenat e zjarrit dhe konfrontimit në Tiranë përbënin lajm në mediat ndërkombëtare, duke krijuar imazhe të fuqishme. Duke mos lejuar që të prodhohen skena të tilla, policia synon të zbehë impaktin mediatik të protestës.
Pavarësisht këtij qëllimi, Kikia thekson se disa nga veprimet e policisë ishin të pajustifikuara dhe disproporcionale. Ai i cilësoi si shkelje të së drejtës për të protestuar përdorimin e mjeteve si ujëhedhëset dhe gazi lotsjellës ndaj një turme që thjesht po marshonte.
Për më tepër, ai veçoi si të pajustifikueshme raste specifike, si ndërhyrja e dhunshme ndaj një gruaje që qëndronte paqësisht me një çadër në bulevard, apo sulmet e qëllimshme me pompa uji ndaj një makine televizive dhe një kameramani në krye të detyrës.
