Opsionet qe duhen hedhur në tryezë janë: – Zgjedhjet e parakohshme

Genc Burimi
9 Maji 2026
Analisti Genc Burimi argumenton se protestat e vazhdueshme të opozitës nuk janë thjesht një çështje e brendshme, por një mesazh i qartë drejtuar partnerëve europianë mbi krizën e thellë politike në vend.
Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë e shohin si të pamundur që klima aktuale politike, e karakterizuar nga një “modus vivendi” konfrontues, të vazhdojë deri në vitin 2029.
Në analizën e tij në një studio televizive theksohet se Shqipëria ndodhet në një krizë politike ku mungon totalisht bashkëpunimi dhe mbizotëron një frymë urrejtjeje mes mazhorancës dhe opozitës.
Vazhdimësia e protestave, pavarësisht numrit të pjesëmarrësve, është sinjali kryesor se situata është e paqëndrueshme. Analisti tërheq vëmendjen mbi rreziqet e mundshme që vijnë nga kjo situatë e tensionuar.
“Një moment mund të kesh një aksident, mund të kesh një incident tragjik. Mund të kesh një provokator… dhe pastaj situata të dalë komplet nga kontrolli”, paralajmëron ai, duke shtuar se skenarë të tillë janë parë edhe në vende të tjera europiane.
Zgjidhja, sipas interpretimit të këtij mesazhi, është politike. Bëhet thirrje për një ulje të palëve në tryezë për të gjetur një kompromis. Një nga opsionet e hedhura në tryezë janë zgjedhjet e parakohshme, të cilat mund të shërbenin si një “zgjidhje e kënaqshme për të gjithë”, përfshirë edhe kryeministrin Rama, me qëllim rikthimin e legjitimitetit të plotë institucional.
Kjo analizë vjen në një kohë kur edhe raporti i fundit i Parlamentit Europian u cilësua si tejet kritik.
Raporti evidentoi se zgjedhjet e kaluara ishin zhvilluar në “kushte të pabarabarta”, duke përmendur përdorimin e burimeve shtetërore nga ana e mazhorancës, një akuzë që, sipas analistit, rëndon vazhdimisht mbi qeverinë dhe e bën të nevojshme gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund ngërçit.
Nga: Genc Burimi
