6 Mars 2023

Në afatet e fundit për regjistrimin e partive dhe më tej edhe të kandidatëve për zgjedhjt vendore grupimi I alibeajt në pd kanë rihedhur propozimet për të dalë në garë me listën e primareve të Berishës. Por nga ana tjetër në selinë blu tashmë kanë nisur diskutimet me aleatët për të dalë në koalicion.

Vetëm pak minuta pas paraqitjes së kërkesës për regjistrim në votimet e 14 majit, Enkelejd Alibeaj ka mbledhur strukturat, ku diskutimi ka qenë mbi kandidaturat dhe strategjinë

“Nga sot fokusi kryesor i gjithë veprimtarisë sonë politike janë zgjedhjet vendore të 14 Majit. Me pjesëmarrjen, me kandidatët, me garën, me synimet dhe me rezultatet tona në këto zgjedhje duhet të nderojmë historinë e Partisë Demokratike; Të afirmojmë Partinë Demokratike si alternativa kryesore e qendrës së djathtë demokratike, kombëtare, perëndimore dhe euro-atlantike në Shqipëri; T’i japim pushtetit vendor fytyrën e alternativës sonë demokratike;  Të vendosim dhe të synojmë objektiva ambicioze, të hedhim bazat e sigurta të fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare për largimin e qeverisë së korruptuar deri në palcë të Edi Ramës, dhe duke bërë realitet rrotacionin jetëdhënës të pushtetit që presin me etje të shpallur shumica e shqiptarëve”, u shpreh Alibeaj.

Ndërsa mësohet se në takim ai ka deklaruar se do të pranohet kandidimi i emrave të dalë nga lista e primareve të Berishës nëse ata do të aplikojnë. Kjo, sipas tij, për të realizuar bashkimin.

Ka qenë Jorida Tabaku që pas mbledhjes së Kryesisë ka theksuar edhe një herë kohën për reflektim.

“Duhet secili të ngrihemi mbi veten tonë dhe për të ofruar një ofertë serioze për PD-në në zgjedhjet e 14 majit. Unë nuk besoj që ne garën e kemi me njëri-tjetrin, ne garën e kemi për kundërshtarin”, u shpreh Tabaku.

Ekzistencën emrit të Lulzim Bashës si kryetar në regjistrin e partive politike, Tabaku e kundërshtoi me shkresën e dorëheqjes

“I bëj thirrje kolegëve që të bashkohemi dhe t’i ofrojmë shqiptarë një ofertë objektive. E pandershme që në këtë moment të shohim përfitimet personale. Basha është e shkuara, ne shohim nga e ardhmja,” u shpreh Tabaku.

Daljen me lista të ndara e konfirmoi edhe një herë Sali Berisha ku pas akuzave se pas kësaj situate qëndron Rama nënvizoi daljen në koalicion.

“Pengjet janë pengje. Zbatojnë vetëm urdhra të pengmarrësit. Nuk ekziston fraksioni. Ekziston fraksioni i pengjeve të Edi Ramës, që përbëhet nga dy persona: Lul Brava dhe AliBasha. PD është një dhe vetëm një, është ajo e anëtarësisë, është ajo që ka mbështetjen masive te qytetarët shqiptarët, është ajo që ka vendimin e gjykatës së faktit për regjistrimin dhe nuk mund të goditet me asnjë mjet tjetër. Do jenë të mjerë ata që do vazhdojnë si donkishotër betejën me ketë forcë që ka për frymëzim lirinë”, tha Berisha.

Tashmë në KQZ kanë përfunduar dorëzimet e dokumenteve prej partive politike, teksa duhet të merret vendimi se si do të veprohet me partinë më të madhe të opozitës.

Nga OraNews