12 Tetor 2026

Nga Lutfi Dervishi 

Pas Pasqyrë Albania, sot qeveria prezantoi me solemnitet një tjetër arritje historike: Pasqyrën e Çmimeve!

Tani kushdo do të ketë mundësi të shohë se sa shtrenjtë po ble pa shkuar në treg/supermarket.

Por ka një problem që qeveria nuk e ka parashikuar: shqiptarët dinë të përdorin google dhe google, për fat të keq, nuk është ende pjesë e platformës Pasqyra Albania.

Ja një shembull: një kuti qumështi për bebe, Kendamil Comfort, 800 gramë, në një supermarket britanik kushton 15.48 paund (afër 1 600 lekë) Në një dyqan ketu shfaqet me çmim 3,906 lekë, madje me 7% ulje!

Me këtë çmim, del më lirë të blesh një biletë avioni për në Londër, të bësh pazarin dhe të kthehesh.

Ndërkohë, çfarë bëjnë vendet e tjera?

Greqia vendos kufizime mbi marzhet e fitimit, kontrollon abuzimet, ndërmerr nisma për ulje reale të çmimeve dhe ofron krahasime me tregjet europiane. Ndërsa ne krijojme një platformë për të treguar sa kushtojnë produktet.

Greqia ka platformë me rreth 10 mijë produkte dhe përditësim ditor, ne e nisëm sot me 238 artikuj dhe përditësim javor.

Në Greqi marrin masa për të ulur çmimet, ne tregohemi më të rreptë: “i fotografojme çmimet”

Problemi nuk është se shqiptarët nuk i dinë çmimet, i dinë shumë mirë, por nuk i përballojnë dot. Nuk na mungon pasqyra, por  fuqia blerëse.

Nëse qeveria dëshiron vërtet një pasqyrë të çmimeve, nuk ka nevojë të shpikë një tjetër platformë. Mjafton të hapë Google, të krahasojë të njëjtin produkt në Tiranë, Londër, Athinë apo Berlin dhe pastaj po të ketë kurajo le të krahasojë edhe pagat.

Ndoshta ka ardhur koha t’i bëjmë qeverisë dhuratë një pasqyrë, jo për të parë çmimet, por për të parë veten, sepse shqiptarët i dinë çmimet përmendësh edhe po t’i zgjosh nga gjumi.