Ardit Bido Edi Rama

Nuk kursejnë as Qemalin, deklaratë skandaloze e drejtorit të Arkivave të Shtetit: – “Ai nuk ka bërë asnjë akt heroik, është mit absurd”

6 maji 2021

Drejtori i Arkivave Shqiptare, Ardit Bido, ka qenë i ftuar në emisionin ‘Opinion’ ku ka komentuar vrasjen e Qemal Stafës, të ndodhur në 5 Maj të vitit 1942, datë e cila sot njihet si Dita e Dëshmorëve.

Bido tha se për Qemal Stafën është ngritur një mit që për të është absurd, pasi sipas tij ai nuk ka qenë hero.

Miti i Qemal Stafës është një ndër mitet më absurde që kemi ne. Nuk kemi të bëjmë me një akt heroik siç mund të themi për Vasil Laçin që i doli para Mbretit të Italisë dhe donte ta vriste. Me rastin e Qemal Stafës nuk kemi të bëjmë as me ndonjë përleshje, por është vrarë nga xhandarmëria. Nuk kemi të bëjmë me një dyluftim ballor. Nuk kemi të bëjmë me një akt heroik dhe patriotik”, tha drejtori i Arkivave.

Deklarata e tij përveç se e cekët dhe me mungesë të theksuar informacioni, është dhe një dëshmi tjetër trishtuese që u bashkohet atyre që tentojnë të ulin vlerat e LANÇ dhe të ngrenë pjesën kolaboracioniste të Luftës II Botërore.

Bido, një 34 vjeçar, ish-këshilltar i Shpëtim Idrizit, u emërua si përfaqësues i PDIU drejtor i Arkivës së Shtetit nga Rama në shtator 2016. Ai vijoi ta mbante postin edhe pas prishjes së koalicionit.

Gazeta dita