Virusi misterioz në Rusi! Trump paralajmëron bisedë me Moskën pas ngritjes së alarmit: – Do të flas me Putinin

7 Tetor 2026
Një ngjarje e mistershme që ka ndodhur në një qendër kërkimore shkencore në Siberi ka nxitur alarm ndërkombëtar dhe një përplasje të re diplomatike mes Uashingtonit dhe Moskës. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se së shpejti do të zhvillojë një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, lidhur me vdekjen e papritur të një punonjëseje të laboratorit të murtajës.
“Deri tani jemi në diskutime shumë të thella. Për bisedën me Putinin do të mund të jap informacione të reja ndoshta të enjten,” u shpreh Presidenti Trump.
Viktima është identifikuar si Darya Shipilova, 28 vjeç, punonjëse në Institutin e Kërkimeve kundër Murtajës të Siberisë dhe Lindjes së Largët në rajonin e Irkutskut. Ajo ndërroi jetë pasi u sëmur me “pneumoni me etiologji të papërcaktuar”. Ndërsa autoritetet ruse po hetojnë rastin, ato ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse bëhet fjalë për murtajë pneumonike.
Lajmi për ngjarjen shkaktoi panik pasi u bë me dije se rreth 200 persona në rajonin e Irkutskut u vendosën menjëherë nën vëzhgim mjekësor, ndonëse një pjesë e tyre u liruan më vonë. Shërbimi rus për mbikëqyrjen shëndetësore (Rospotrebnadzor) pretendoi se të gjithë personat e kontaktit rezultuan negativë për patogjenë të rrezikshëm.
Pavarësisht kësaj, në rrjetet sociale dhe mediat ruse qarkullojnë pretendime se 28-vjeçarja mund të jetë infektuar pasi theu një epruvetë me patogjenin e murtajës në laborator, ose gjatë një ekspedite në terren te brejtësit e egër.
Përballë kësaj situate, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, u bëri thirrje autoriteteve ruse për transparencë të plotë:
“Shkëmbimi në kohë, i plotë dhe transparent i informacionit është thelbësor për të sqaruar raportet kontradiktore dhe për të mundësuar një vlerësim të saktë të rreziqeve të mundshme për shëndetin publik.”
Sipas OBSH-së, rreziku i përhapjes jashtë Rusisë mbetet i ulët, por murtaja pneumonike njihet si forma më virulente e bakterit Yersinia pestis, me periudhë inkubacioni deri në 24 orë dhe me shkallë të lartë fataliteti nëse nuk trajtohet me kohë.
