Kontrolli në banesën e Ron Yeffet, Berisha: – Telefonoi 4 herë Edin dhe 3 herë Linda Ramën, nuk iu përgjigjën

Sali Berisha
6 Shtator 2026
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka ngritur akuza ndaj biznesmenit Ron Yeffet, duke pretenduar se ai ka lidhje me persona dhe çështje që, sipas tij, kanë të bëjnë me kryeministrin Edi Rama.
Në një konferencë për mediat nga selia e PD-së, ku ishte i shoqëruar nga deputeti Klevis Balliu, Berisha foli për një kontroll të ushtruar pak ditë më parë në banesën e Yeffet, duke pretenduar se gjatë operacionit ai ka tentuar të kontaktojë disa herë kryeministrin.
“Armë dhe drogë janë binjakë të trafiqeve kriminale dhe ilegale. Të dhëna të pakundërshtueshme faktojnë se padrinoja apo kreu i narkoshtetit, Edi Rama, është kujdesur në maksimum që fitimet e tij të kenë sigurinë, tregtinë e armëve dhe kontrabandën e tyre”, deklaroi Berisha.
Duke iu referuar Ron Yeffet, Berisha e cilësoi atë si një personazh të përfshirë, sipas tij, në një sërë aferash korruptive dhe mafioze, duke pretenduar se ai ka vepruar si përfaqësues i kryeministrit.
“Historia e të famshmit Ron Yeffet është histori personale e Edi Ramës. Ky personazh, i implikuar në një mori aferash mafioze korruptive, si përfaqësues i Ramës, u kontrollua para pak ditësh në banesën e tij nga organet ligjzbatuese”, tha kreu i PD-së.
Berisha pretendoi më tej se gjatë kontrollit, Yeffet ka telefonuar katër herë Edi Ramën dhe tri herë Linda Ramën, por sipas tij nuk ka marrë përgjigje.
“Qytetari digjital informoi se nga kontrolli ai mbeti i fantaksur, sepse nuk e besonte kurrë. Por ajo që ka më shumë rëndësi është se gjatë kontrollit mori të paktën katër herë në telefon Ramën dhe tri herë Linda Ramën, por nuk iu përgjigj njeri”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se këto pretendime janë çështje që duhet të verifikohen nga organet e drejtësisë.
