6 Shtator 2026

Çfarë bën një kompani teknologjike kur modelit të saj të robotëve humanoidë u kalon koha dhe nuk do që sekretet tregtare të bien në duart e rivalëve? I çmonton me kujdes?

Jo sipas kompani amerikane Figure! Ajo vendosi t’u japë robotëve të saj të gjeneratës F.02 një dalje nga skena absolutisht epike, duke i bërë të hidhen vetë brenda një kazan me 75 ton hekur të shkrirë

E gjitha lindi nga një sfidë reale. Ndërsa modeli i ri F.03 po merrte hov (dhe me F.04 në zhvillim e sipër), ruajtja apo çmontimi manual i F.02 kërkonte tepër kohë dhe burime njerëzore. Kjo sepse robotët mbanin teknologji të mbrojtur me patentë dhe nuk mund t’u kaloheshin palëve të treta.

Drejtori Ekzekutiv i kompanisë, Brett Adcock, kërkoi ide në rrjetin social X për një “përcjellje të denjë”. Përgjigja më e papritur erdhi nga vetë ikona e filmave aksion, Arnold Schwarzenegger, i cili sugjeroi shumë shkurt: “Duhet t’i shkrini.”

Dhe kështu u bë!

Për të realizuar këtë skenë të denjë për Hollivud, inxhinierët trajnuan robotët humanoidë që të kërcejnë nga ballkoni i katit të dytë të zyrave mbi jastëkë sigurie. Lëvizja kërkonte precizion dhe kompania u konsultua edhe me specialistë të skenave të rrezikshme. Sfida e radhës ishte gjetja e një derdhjeje që të pranonte robotë me bateri litiumi.

Pati shumë refuzimeve. Në fund, u gjet një shkritore në Finlandë e gatshme të pranonte robotët, pavarësisht se ata përmbanin edhe bateri litiumi. Kompania kishte në dispozicion 24 orë dhe gjashtë procese shkrirjeje për të përfunduar “misionin”. Pavarësisht nxehtësisë ekstreme, fushave elektromagnetike nga elektrodat e gjigante të grafitit dhe dështimit të disa kamerave, inteligjenca artificiale e robotëve funksionoi deri në sekondën e fundit.

Në videon e publikuar nga kompania, robotët shihen duke u hedhur njëri pas tjetrit në furrën e zjarrtë. Por detajin më ikonik e dhuroi njëri prej tyre: teksa zhytesh në metalin e shkrirë, ai ngriti gishtin e madh lart (thumbs-up), pikërisht siç bën karakteri i Schwarzenegger-it te filmi i vitit 1991, Terminator 2: Judgment Day.

Pas procesit, çeliku i përftuar u dërgua në Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e tij u përpunua në objekte të kufizuara përkujtimore, të lidhura me modelin F.02.

Pjesa më e madhe e flotës së vjetër tashmë është shkrirë dhe ricikluar, ndërsa vetëm disa robotë kanë mbetur të ruajtur në selinë e kompanisë.