çift në Tiranë sjell në jetë fëmijën e 11-të

6 Tetor 2026

Nga Dori Xhima

Në një kohë kur statistikat demografike në Shqipëri dhe Evropë tregojnë një rënie të vazhdueshme të lindshmërisë dhe ku shumë çifte të reja mendohen gjatë përpara se të marrin vendimin për të sjellë në jetë qoftë edhe një fëmijë të vetëm, historia e një familjeje nga Tirana sjell një pamje krejt ndryshe mbi jetën, besimin dhe vlerën e familjes.

Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në kryeqytet ka ardhur në jetë Zeidi, fëmija më i ri i dy prindërve Fatmira dhe Ervini. Me ardhjen e tij, shtëpia e tyre numëron tashmë 11 fëmijë, tetë vajza dhe tre djem, duke u kthyer në një nga familjet më të mëdha e më të veçanta në Shqipërinë e ditëve të sotme.

​Sot, kostot e larta të jetesës, pasiguria për të ardhmen dhe ndryshimi i prioriteteve kanë bërë që familjet e mëdha të jenë një dukuri gjithnjë e më e rrallë. Megjithatë, për Fatmirën, rritja e 11 fëmijëve nuk është as barrë dhe as sakrificë e pamundur, por një burim i pandërprerë gëzimi dhe përmbushjeje personale.

Nëna e re, e cila të gjitha lindjet e saj i ka kryer pranë të njëjtit spital, shprehet me mirënjohje për kujdesin e nevojshëm mjekësor të marrë ndër vite nga stafi shëndetësor. Por mbi të gjitha, ajo reflekton mbi kuptimin e vërtetë të pasurisë familjare.

​”Jam e lumtur dhe e kënaqur që kam një familje të madhe. Të gjithë më pyesin se si është jeta me shumë fëmijë. Unë jam e lumtur sepse e kam shtëpinë plot,” shprehet Fatmira, duke përmbledhur filozofi-jetën e saj në një fjali të thjeshtë por domethënëse.

Për një familje të kësaj madhësie, përditshmëria kërkon menaxhim dhe përkushtim.

Histori të tilla rikthejnë vëmendjen te modeli tradicional i familjes si bërthamë e qëndrueshmërisë shoqërore. Gëzimi i prindërimit mbetet një nga përvojat më të thella njerëzore, pavarësisht sfidave të kohës.

Gazeta Dita