Shemsi Prençi

6 Tetor 2025

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, parashikoi se edhe kryeministri Edi Rama do të merret në pyetje për këtë çështje duke u thirrur në SPAK, ose duke i dërguar oficerët e BKH-së në Kryeministri.

Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet për të vërtetuar qëndrojnë apo jo denoncimet e bëra pak javë më parë nga ish zv/kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, i cili aludonte për trafik armësh dhe afere të tjera të biznesmenit izraelit, Ron Yeffet, me kompaninë publike KAYO. Edhe kompania TIMAK është pjesë e hetimit intensiv që po kryen SPAK.

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, ka deklaruar në një emision televiziv se gjatë këtyre ditëve SPAK do të dalë me akuza konkrete për këto çështje.

Prençi parashikoi se ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ose do të arrestohet në detyrë, ose do të largohet javën tjetër nga posti që mban, me qëllim që të mos i vihen prangat në krye të detyrës.

Ai shtoi se edhe kryeministri Edi Rama do të merret në pyetje për këtë çështje duke u thirrur në SPAK, ose duke i dërguar oficerët e BKH-së në Kryeministri.

“Organizatat kriminale me bosht me flamur politik, është forma më e lartë e organizatave kriminale. Këtë e kanë vetëm organizatat terroriste. Si ka mundësi që kësaj organizate të trafikut të armëve i paraprin propaganda e shfrenuar e kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes. Shumë shpejtë ka për t’u thirrur kryeministri. Ose do i shkojnë oficerët e BKH-së në zyrë të tregojë se kush e solli Ron Yeffet.

Kjo ngjarje është me shumë sensitivitet të lartë, jo vetëm në Shqipëri. Për ngritjan e kompanisë KAYO, unë jam i bindur se SPAK do të dalë me akuza konkrete. Ministri i Mbrojtjes ose do të arrestohet në detyrë, në karrige, ose do e lërë detyrën javën tjetër, për të mos pritur që t’i vihen prangat në karrige”, tha mes të tjerash Prençi.
Prençi foli më tej edhe për pretendimet e Berishës se ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni, ka bashkëjetuar me biznesmenin izraelit Ron Yeffet, për të cilat tha se nuk kishte informacion.

Megjithatë Prençi shtoi se Hyseni është një person pa integritet që ka rënë në batakun e grupeve kriminale.

“Nëse Vlora Hyseni ka bashkëjetuar apo nuk ka bashkëjetuar, mua s’më intereson fare. Por që Vlora Hyseni është shpalosur në opinionin publik si një person pa integritet, duke qenë kreu i SHISH dhe ka rënë në batakun e grupeve kriminale dhe personave që kanë qenë në kërkim nga SPAK, do të thotë që kreu i SHISH s’ka integritet e moral. Kur një njeri nuk ka integritet në atë post, pjesa tjetër rozë nuk ka rëndësi fare. Unë s’kam të dhëna që ka pasur lidhje bashkëjetese me Yeffet”, shtoi Prençi.