Arben Shehu pjesë e bandës “Agasi-Karçanaj”, ja si i zhduku nga raporti i KLSH grabitjet skandaloze dhe vjedhjet qindra miliona euro te AKSHI.

6 Shtator 2026
Prapa fasadës së një kontrolli rigoroz shtetëror, fshihet një nga skemat më të rënda të bashkëpunimit dhe mbulimit të korrupsionit në majat e institucioneve publike. Denoncimi i 20 audituesve dhe ish-audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dërguar Kuvendit të Shqipërisë zbardh me detaje se si Arben Shehu e shndërroi KLSH-në në një mburojë mbrojtëse për bandën e mirënjohur Agasi-Karçanaj në AKSHI.
Ndërsa në këtë agjenci përpiheshin qindra miliona euro me tenderë të paracaktuar e me flamur të kuq, Arben Shehu ka mbyllur sytë përpara grabitjes më të madhe financiare të dekadës dhe duke i dërguar Kuvendit e publikut informacione të rreme. Kjo mënyrë veprimi nuk është rastësi, por një model i përsëritur i mbrojtjes së skandaleve.
E njëjta skemë u përdor edhe me aferën e kompanisë KAYO në Ministrinë e Mbrojtjes, një nga rastet më skandaloze të grabitjes së fondeve dhe pasurive të ushtrisë përmes shoqërive të përbashkëta ku shteti cedoi mazhorancën e aksioneve te kompanitë private të Ron Yeffet dhe Emiljano Duzhës, përfitues pa asnjë tender të parave publike.
Përkundrejt akuzave për bandën e përbërë nga Ermal Raketa, Ard Veliu, Ron Yeffet dhe Emiljano Duzha, kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, nuk lëvizi as gishtin e vogël për të ushtruar auditim mbi këtë institucion. Arben Shehu u bë pjesë e kësaj skeme në prapavijë për shkak të lidhjeve të tij të hershme dhe të fuqishme nepotike me Ard Veliun.
Të njëjtin mekanizëm, Arben Shehu e ka zbatuar edhe me AKSHI-n në shërbim të bandës Agasi-Karçanaj. Ndërkohë që Kontrolli i Lartë i Shtetit nën Arben Shehun u kujdes t’i jepte AKSHI-së një “certifikatë pastërtie” përmes kontrolleve fiktive dhe amnistimit të miliarda lekëve tenderë, realiteti shpërtheu më vonë në dyert e drejtësisë.
Kontrasti është ulëritës: aty ku KLSH nuk pa “asnjë shkelje” dhe la 0% kontroll për tre vite me radhë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) zbërtheu skema të mirëfillta korrupsioni, abuzime marramendëse nga banda Agasi-Karçanaj me tenderat e digjitalizimit, favorizime kompanish dhe dosje të tëra hetimore për përvetësimin e parave publike. Përplasja mes “mbylljes së syve” nga ana e KLSH-së dhe hetimeve të SPAK-ut mbetet prova më e qartë se si kontrolli më i lartë shtetëror dështoi me vetëdije të mbrojë interesin e taksapaguesve, duke mbuluar miliona euro abuzime pas raporteve fiktive.
SPAK deri më tani ka heshtur, por nëse hap hetimet ndaj kreut të KLSH-së për aksionin e fshehjes dhe mospërcjelljes së veprave penale, veprimet e tij mbërrijnë drejtpërdrejt nën goditjen e nenit 300 të Kodit Penal për “Moskallëzim krimi” (për mosinformimin e organeve të ndjekjes penale për krime të rënda financiare të zbuluara apo të pranishme gjatë ushtrimit të detyrës), si dhe nenit 301 të Kodit Penal për “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës” dhe nenit 248 për “Shpërdorim detyre”, pasi funksionari i lartë ka përdorur tagrin e tij publik për të amnistuar dhe mbuluar abuzimet me paratë e shtetit.
Manovrat e pista të Arben Shehut te AKSHI
Sipas të dhënave të punonjësve të KLSH, mjegullnaja rreth kontrollit të AKSHI-t fillon që me planet vjetore të auditimit, ku lëvizjet e dokumentuara shfaqin një paqëndrueshmëri të dyshimtë. Në planin e auditimeve të vitit 2021 ishte parashikuar një auditim përputhshmërie me objekt “Performanca e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për periudhën 01.01.2018–30.06.2020”, por ky kontroll nuk u pasqyrua në asnjë plan mujor të atij viti në faqen ueb të KLSH-së.
Më tej, në planin e vitit 2022 u miratua “Auditim i pasqyrave financiare dhe përputhshmërisë” për periudhën 2017–2021, ku faza e terrenit u zgjat nga data 22.12.2021 deri më 30.06.2022. Ndonëse Projektraporti i Auditimit u hartua më 15.09.2022 dhe Raporti Përfundimtar datonte më 28.10.2022, procesi nuk u pasqyrua në planin e vitit 2023. Dërgimi i Raportit Përfundimtar u shty deri më 10.04.2023 sipas planit të muajit prill 2023, duke e çuar kohëzgjatjen e këtij auditimi në 1 vit e 4 muaj rresht. Edhe pse në këtë raport përfundimtar pretendohej se ishte vlerësuar e gjithë veprimtaria 2017–2021, kontrollorët kishin anashkaluar tërësisht procedurat e prokurimit publik për tre vite të tëra.
Amnistia e tenderave me “red flag”: 0% kontroll për 3 vite
Prapaskena më e rëndë e këtij auditimi lidhet me nivelin real të mbulimit me kontroll të fondeve publike të prokuruara nga AKSHI, i cili ka arritur në një nivel mjeran prej vetëm 13.6% për të gjithë periudhën e audituar. Për tre nga pesë vitet e planifikuara për kontroll – përkatësisht vitet 2017, 2018 dhe 2021 – fushëmbulimi me auditim për procedurat e prokurimit publik ka qenë saktësisht 0%. Në vitin 2017, nga 258,540,934 lekë të prokuruara nuk u auditua asnjë procedurë. Të njëjtin fat patën 5,945,417,366 lekë të prokuruara në vitin 2018, ku me 0 procedura të audituara fushëmbulimi mbeti përsëri 0%.
Po ashtu, në vitin 2021, nga një fond prej 3,706,012,016 lekësh të prokuruara, KLSH auditoi 0 procedura. Kontrolli u përqendrua vetëm në vitin 2019, ku u audituan 5 procedura me vlerë 699,073,128 lekë nga 2,641,574,392 lekë totale (26%), si dhe në vitin 2020, ku u kontrolluan 10 procedura me vlerë 1,434,828,068 lekë nga 3,097,427,967 lekë (46%). Në këtë mënyrë, nga 15,648,972,675 lekë të prokuruara në total përgjatë pesë viteve, u audituan vetëm 2,133,901,196 lekë.
Kjo fshirje e qëllimshme e tenderave bëhet akoma më skandaloze kur verifikohen të dhënat e Open Data Albania për projektet kryesore të vitit 2018, të cilat mbanin shenjën “red flag” nga Agjencia e Prokurimit Publik. Nga 10 projektet me vlerën më të lartë financiare të AKSHI-t, katër prej tyre i përkisnin pikërisht vitit 2018 dhe u lanë tërësisht jashtë auditimit ndonëse ishin brenda periudhës zyrtare të kontrollit.
Mes tyre figuron procedura “Përmirësimi i Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit” me vlerën kolosale prej 1,869,825,960 lekësh, si dhe “Ngritja e sistemit të gjobave elektronike për Policinë e Shtetit” me vlerë 239,028,554 lekë. Pjesë e tenderave të paaudituar ishin edhe “Përmirësimi i Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP)” me vlerë 199,998,000 lekë, si dhe ikona e shpenzimeve “Dixhitalizim i Arkivave për DPGJC” me vlerë 199,877,200 lekë.
Bilanci qesharak: AKSHI i miliardave nxjerr më pak dëm ekonomik se Bashkia e Peqinit
Pasojat e këtij auditimi të sakatuar pasqyrohen qartë te bilanci përfundimtar i gjetjeve financiare, ku shifrat e zbuluara nga KLSH janë krejtësisht mjerane përkundrejt vëllimit të parave të prokuruara. Te rubrika e gjetjeve, KLSH ka identifikuar dëm ekonomik vetëm në 3 procedura me vlerë 18,441,000 lekë, që përbën vetëm 0.8% të vlerës së audituar. Për sa u përket efekteve 3-E, janë konstatuar 4 procedura me vlerë 161,517,000 lekë (7.6%).
Në total, nga 2,133,901,196 lekë të audituara, gjetjet kapën shumën 179,958,000 lekë (8.4%), ndërsa nëse kjo shifër krahasohet me 15.6 miliardë lekët e prokuruara nga AKSHI, mbulimi me gjetje zbret në një përqindje qesharake prej 1.1%. Për të kuptuar absurdin e këtij kontrolli fiktiv, mjafton t’i referohemi Raportit të Performancës së KLSH-së për vitin 2023.
Në këtë dokument zyrtar rezulton se dëmi ekonomik i identifikuar nga auditimi i AKSHI-t në shumën 18,442 mijë lekë është më i vogël se dëmi ekonomik i identifikuar nga KLSH në një njësi fare të vogël vendore si Bashkia e Peqinit, ku u gjetën 18,921 mijë lekë dëm. Një agjenci qendrore që menaxhon dhjetëra miliarda lekë për rrjetin dixhital të vendit ka përfunduar me një bilanc dëmi më të ulët se një bashki provinciale, duke dëshmuar amnistinë financiare që i është bërë tenderave të AKSHI-t.
Manipulimi i raporteve zyrtare: Standarde të dyfishta dhe faqe kontradiktore te RPA
Skandali profesional me auditimin e AKSHI-t thellohet edhe më tej te mënyra se si janë formuluar dhe ndryshuar konkluzionet brenda vetë Raportit Përfundimtar të Auditimit të publikuar në ueb-in zyrtar të KLSH-së. Në dokumentin e arritshëm publikisht përmes uebfaqes së institucionit, KLSH ka përdorur dy arshinë të ndryshëm për të njëjtën shkelje ligjore, duke manipuluar kualifikimin e gjetjeve nga faqja në faqe.
Konkretisht, te Kapitulli “Gjetjet dhe rekomandimet”, te germa (B) “Masa Shpërblim Dëmi” në faqen 137 të Raportit Përfundimtar të Auditimit, gjetja numër 3 është kualifikuar si dëm ekonomik dhe është rekomanduar ndjekja e të gjitha rrugëve ligjore për shpërblimin e saj.
Por po në të njëjtin raport, te germa (C) “Masa për eliminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe për menaxhimin me ekonomicitet, efiçencë dhe efektivitet të fondeve publike” në faqen 139, gjetja numër 4 e cila ka të njëjtën bazë ligjore të shkelur si gjetja numër 3 është trajtuar me standard tjetër, duke u zbutur dhe kualifikuar thjesht si përdorim pa efektivitet i fondeve publike. Kjo mospërputhje skandaloze brenda të njëjtit dokument provohet si një nga provat më komprometuese të mënyrës se si është cenuar integriteti i kontrollit të lartë shtetëror nën drejtimin e Arben Shehut.
Shënim: Të gjitha shkrimet dhe materialet që Gazeta “SOT” ka publikuar dhe do të publikojë lidhur me shkeljet e Arben Shehut të Kontrollit të Lartë të Shtetit do t’i dërgohen Prokurorisë së Posaçme (SPAK), së bashku me dokumentacionin përkatës, për t’iu nënshtruar verifikimeve dhe vlerësimit nga organet kompetente.
