7 Tetor 2026

Në shtetin e kapur ku institucionet e kontrollit duhet të jenë sita e pakompromis e parave publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit është katandisur në një zyrë pazaresh, mbrojtjeje dhe zvarritjeje të qëllimshme. Në krye të kësaj drame abuzive qëndron Arben Shehu, njeriu që ka paralizuar misionin kushtetues të KLSH-së për t’i shërbyer interesave të klanit dhe fasadave qeveritare. Materiali tronditës i përpiluar nga 20 auditues dhe ish-auditues të këtij institucioni, dërguar Kuvendit dhe komisioneve parlamentare, zbardh të vërteta rrëqethëse se si kontrolli financiar është përdorur si një mjet presioni, amnistie dhe harrese. Përtej fasadës së raporteve, rasti më flagrant i kësaj skeme shkatërrimi është trajtimi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), një prej grykave më të mëdha të derdhjes së fondeve publike në vend, ku auditimi është mbajtur peng në mënyrë skandaloze për plot 3 vjet e 4 muaj.

Kronika e zvarritjes 40-mujore dhe zhdukja e gjurmëve në terren

Nuk bëhet fjalë aspak për vonesa burokratike apo mbingarkesë pune, por për një mekanizëm të mirëfilltë mbrojtjeje për institucionet dhe projektet që duhet të ishin në lupën e drejtësisë. Sipas planeve zyrtare të vetë KLSH-së të firmosura nga Arben Shehu, auditimi te Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka nisur zyrtarisht që më 9 tetor 2023. Në kushtet e një institucioni normal, një kontroll financiar dhe i përputhshmërisë mbyll ciklin sipas afateve të caktuara. Por nën drejtimin e Shehut, ky auditim u fut në një tunel pa dalje, duke u ricikluar në mënyrë qesharake nga viti në vit përmes planeve mujore dhe vjetore. Në planin e vitit 2023 u planifikua auditim financiar dhe përputhshmërie për periudhën 2022-2023, me fazë terreni në vjeshtën e vitit 2023. Në planin e vitit 2024, faza e terrenit u zvarrit dhe u shty përmes ndryshimeve të herëpashershme në muajt janar, korrik dhe dhjetor, duke shtyrë afatet e Projektraporteve.

Në planin e vitit 2025, periudha nën auditim u ndryshua sërish duke u shtrirë deri në dhjetor 2024, ndërsa u ndryshua rrënjësisht edhe vetë grupi i auditimit nga J. Hoxhaj te grupi i kryer nga A. Kume, G. Koka, E. Kojku, K. Shkurta dhe T. Gjunkshi. Në planin e vitit 2026, ky auditim i nisur në vjeshtën e vitit 2023 figuroi në fazë përfundimtare me afat dërgimi të Raportit Përfundimtar deri më 17 mars 2026. Një proces që shtrihet nga 9 tetori 2023 deri më 17 mars 2026 – saktësisht 3 vite e 4 muaj në terren – nuk është më auditim, por një lloj amnistie e heshtur ku provat zhduken, stafi lëviz dhe gjurmët e abuzimeve mbulohen me pluhurin e zyrave të KLSH-së, duke shkelur çdo standard ndërkombëtar të INTOSAI-t për kohëzimin dhe transparencën.

Ping-pongu i raporteve te projektet e Vlorës dhe shkelja e standardeve

Zvarritjet diabolike të Arben Shehut nuk kanë kursyer as projektet më madhore të investimeve publike që menaxhohen po nga FSHZH. Në lupën e këtij institucioni janë mbajtur peng dy projekte kyçe për qytetin e Vlorës, konkretisht projekti për “Rikualifikimi i zonës urbane pranë qendrës historike të Vlorës” nga fillimi i tij deri në dhjetor 2024 dhe projekti për “Restaurim dhe rikualifikim urban i ansamblit Qendra Historike Vlorë” po ashtu nga fillimi deri në dhjetor 2024. Edhe pse këto projekte duhej të ishin audituar dhe mbyllur që në vitin 2022 ose maksimumi në fund të 2023, Shehu i ka kthyer në ping-pongun e raporteve të tij. Në planin e vitit 2023, në atë të 2024, në 2025 dhe së fundmi në planin e vitit 2026, këto dy projekte janë ricikluar pafundësisht. Periudhat nën auditim janë fshirë, janë shtuar dhe janë ndryshuar në mënyrë arbitrare gjatë rrugës, duke kaluar nga fillimi i projektit deri më 31.12.2024 në planin e dhjetorit 2025, për t’u rikthyer në versionet e mëparshme në plane të tjera, vetëm e vetëm që raportet të mos dalin kurrë në dritë në kohën e duhur.

Një kohëzgjatje e tillë prej mbi 3 vitesh për dy projekte konkrete urbane në Vlorë dëshmon dështimin e plotë dhe të vullnetshëm të menaxhimit të burimeve nga kreu i KLSH-së. Standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t (ISSAI 100 & 300) e përcaktojnë qartë se një auditim që humbet kohën, humbet edhe vlerën dhe besueshmërinë. Zvarritja e kontrollit te Fondi Shqiptar i Zhvillimit sjell pasoja fatale për shtetin ligjor, duke sjellë humbjen e relevancës ku gjetjet lidhen me situata të vjetra dhe subjektet nuk mund të reagojnë apo të marrin masa korrigjuese në kohën e duhur. Dokumentacioni ndryshon, arkivohet ose humbet duke dobësuar provën e auditimit, ndërsa prania e zgjatur dhe e pajustifikuar e audituesve në të njëjtin subjekt për vite të tëra krijon marrëdhënie informale, duke rritur rrezikun e kompromisit profesional, një dukuri që vetë standardet ndërkombëtare e konsiderojnë si kërcënim direkt për integritetin e Institucionit Suprem të Auditimit.

Mbajtja peng e dosjeve në pritje të pazarit

Për Arben Shehun, ky nuk është dështim profesional, por skema e përsosur e mbajtjes peng të dosjeve. Ndërkohë që audituesit e ndershëm të institucionit ose lihen pa asnjë detyrë në zyrë për muaj të tërë për hakmarrje personale, ose mbingarkohen njëkohësisht me nga 4 deri në 11 auditime për t’i çuar drejt kolapsit mendor e profesional, dosjet e nxehta të FSHZH-së mbahen në sirtarët e kreut të KLSH-së në pritje të pazarit. Rasti i Fondit Shqiptar i Zhvillimit dhe i projekteve të Vlorës është dëshmia më kuptimplote se si KLSH është shndërruar nga një mbrojtës i interesit publik në një mburojë të abuzuesve, duke bërë të domosdoshme ndërhyrjen e Kuvendit për këtë paligjshmëri të ulur këmbëkryq në krye të institucionit.

Shënim: Të gjitha shkrimet dhe materialet që Gazeta “SOT” ka publikuar dhe do të publikojë lidhur me shkeljet e Arben Shehut të Kontrollit të Lartë të Shtetit do t’i dërgohen Prokurorisë së Posaçme (SPAK), së bashku me dokumentacionin përkatës, për t’iu nënshtruar verifikimeve dhe vlerësimit nga organet kompetente.