Shfaqet në videot e skandalit Hila, këngëtarja nga Kosova dorëzon kallzim në Policinë e Tiranës

5 Shtator 2026
Zhvillime të reja procedurale po shënohen rreth hulumtimit për rrjedhjen e materialeve private filmike që përfshijnë figura të njohura të artit dhe shoqërisë civile.
Mësohet se gjatë ditës së sotme, një këngëtare nga Kosova, Egzona Ademi, e cila shfaqet në disa nga videot intime të skandalit Hila – i është drejtuar zyrtarisht strukturave të Policisë së Shtetit në Tiranë me një kallëzim.
Sipas burimeve, ajo ka kërkuar identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës për shpërndarjen e paautorizuar të këtyre pamjeve. Ndër të tjera, bëhet e ditur se gjatë depozitimit të denoncimit ka dorëzuar të dhëna që orientojnë hetimet drejr disa emrave konkretë.
Skandali dhe korniza ligjore
Ngjarja në fjalë ka zënë hapësirë të gjerë në debatin publik ditët e fundit, pas shfaqjes në rrjete sociale dhe platforma komunikimi të një sërë pamjesh filmike të regjistruara në ambiente private, ku përfshihet kompozitori dhe producenti muzikor Adrian Hila dhe persona të tjerë femra dhe meshkuj nga bota e muzikës, biznesit dhe politikës. Ndër emrat e përfolur së fundmi është edhe ai i ministrit të kabinetit Rama, Sofjan Jaupaj.
I marrë në pyetje nga grupi i posaçëm hetimor, kompozitori ka pretenduar se prania e kamerave në pronën e tij private kishte qëllime strikte sigurie.
Pavarësisht pretendimeve për masa sigurie, mbetet objekt hetimi penal faktimi i regjistrimit të personave të tretë pa dijeninë apo pëlqimin e tyre, si dhe rruga përmes së cilës këto materiale kanë dalë nga kontrolli i poseduesit për t’u kthyer në objekt përhapjeje masive.
Çështja po trajtohet nën kuadrin ligjor të veprave penale që lidhen me “Cenimin e privatësisë”, “Fotografimin apo regjistrimin e paautorizuar”, si dhe “Shpërndarjen e materialeve vetjake pa pëlqim”.
Gazeta Dita
