“Bomba” në Kuvend, 20 auditues gozhdojnë Arben Shehun, zbardhet dosja e zezë e KLSH me miliarda lekë koncesione të amnistuara në shëndetësi, nga mashtrimi publik për Onkologjikun, te mbajtja e raporteve në sirtar

5 Tetor 2026
Materiali i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë më 4 shkurt 2026 nga një grup prej 20 audituesish dhe ish-audituesish të Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në dritë një nga skemat më të rënda të mënjanimit të kontrollit shtetëror mbi paratë publike në sektorin e shëndetësisë. Dokumenti zyrtar i siguruar nga gazeta “SOT” zbulon se si KLSH nën drejtimin e Arben Shehut ka shmangur në mënyrë të përsëritur e të qëllimshme kontrollin mbi koncesionet dhe Partneritetet Publik-Private, duke i lënë kontratat më të kushtueshme të shëndetësisë të paprekura për vite me radhë. Prapa retorikës zyrtare të llogaridhënies fshihet një operacion masiv i bllokimit të kontrollit mbi me miliarda lekë të taksapaguesve shqiptarë që derdhen çdo muaj në arkat e kompanive koncesionare.
Shifrat
Sipas të dhënave financiare të pasqyruara në këtë dokument nga punonjësit e KLSH, katër kontratat kryesore koncesionare në sistemin shëndetësor kanë thithur deri në nëntor të vitit 2024 shumën marramendëse prej mbi 29.5 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit. Konkretisht, për koncesionin e Sterilizimit të instrumenteve mjekësore janë likuiduar 11,806,850 mijë lekë, ndërkohë që vetëm për vitin 2024 u planifikuan 1,756,104 mijë lekë dhe për vitin 2025 mbi 1.9 miliardë lekë të tjera.
Për koncesionin e Kontrollit Mjekësor Bazë, i njohur si Check-up, janë paguar 6,570,896 mijë lekë deri në nëntor 2024, me kosto vjetore të planifikuara prej 876,090 mijë lekësh si për vitin 2024 ashtu edhe për vitin 2025. Koncesioni i Laboratorëve ka përpirë 5,777,423 mijë lekë të likuiduara, me planifikime buxhetore prej 1.85 miliardë lekësh në vitin 2024 dhe 1.9 miliardë lekësh në vitin 2025. Ndërkaq, për koncesionin e Hemodializës janë paguar nga paratë publike 5,415,023 mijë lekë, ku buxheti i parashikuar kapte shifrat e 920,000 mijë lekëve për vitin 2024 dhe 960,000 mijë lekëve për vitin 2025.
Amnistia
Pavarësisht këtyre shifrave të frikshme financiare dhe rrezikut ekstrem që ato bartin për financat publike, KLSH-ja ka zbatuar një strategji të pastër amnistie dhe mënjanimi. Audituesit denoncues dokumentojnë se kontratat koncesionare për Sterilizimin, Check-up-in dhe Hemodializën ishin planifikuar zyrtarisht për auditim përputhshmërie dhe financiar që në vitin 2022, me objekt mbulimi që nga momenti i lidhjes së kontratave. Mirëpo, me urdhër dhe vendimmarrje të Arben Shehut të KLSH, asnjë prej këtyre tri kontratave nuk u auditua as në vitin 2022, as në vitet pasuese, duke mbetur të paprekura gjatë të gjithë periudhës 2020–2025.
Në vend që të përballeshin me kontrollin e ligjit, koncesionet e Sterilizimit dhe Check-up-it janë ri-planifikuar vetëm për planin e vitit 2026, duke fituar kështu vite të tëra qetësie absolute nga çdo verifikim financiar e ligjor. Ky amnistim i padëgjuar përbën një shpërfillje të hapur jo vetëm ndaj interesit publik, por edhe ndaj vetë Kuvendit të Shqipërisë. Në Rezolutën e Kuvendit për Raportin e Performancës së KLSH-së të vitit 2022, përmes Rekomandimit numër 3, parlamentarët i kërkuan prerazi KLSH-së të nxisë mbikëqyrjen publike dhe të rrisë cilësinë, transparencën e parandalimin e korrupsionit në koncesionet dhe Partneritetet Publik-Private. Rekomandimi kërkonte zhvillimin e auditimeve cilësore dhe dhënien e rekomandimeve me vlerë të shtuar për menaxhimin e këtyre kontratave gllabëruese.
Megjithatë, drejtimi i KLSH-së e shpërfilli këtë rekomandim të prerë të parlamentit, duke e reduktuar mbulimin me auditim të njërës prej tematikave më sensitive në nivele inekzistente. Asfiksia e kontrollit në shëndetësi shtrihet edhe në procedurat administrative e kohore për vetë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si autoritet kontraktor. Dokumenti i audituesve vërteton se në auditimin e ushtruar ndaj kësaj ministrie, puna e grupit të auditimit në terren përfundoi më 31 korrik 2025. Por në vend që Projekt Raporti i Auditimit t’i dërgohej subjektit brenda afatit rregullator prej 15 deri 22 ditësh pune, ai u mbajt i bllokuar në sirtarët e titullarit deri më 7 janar 2026. Kjo vonesë prej 5 muajsh e tejkalim prej 4 muajsh shkel hapur nenin 32 të Rregullores së Procedurave të Auditimit, duke minuar koherencën dhe mundësinë e marrjes së masave korrigjuese në kohë.
Thellimi i sksandalit
Skandali thellohet edhe më tej kur dokumenti zbërthen prapaskenat e auditimit të performancës në Onkologjikun e Qendrës Spitalore Universitaria “Nënë Tereza”, raport i cili u evadua që në qershor të vitit 2023. Gjatë raportimeve publike në media dhe në Komisionin e Ekonomisë në korrik 2024, Kryetari i KLSH-së deklaroi se institucioni kishte bërë kallëzim penal në prokurori për shkeljet e rënda në pavijonin e Onkologjikut. Mirëpo, dokumenti zyrtar i 20 audituesve zbulon se kjo ishte një e vërtetë e përmbysur dhe një keqinformim i hapur i parlamentit. KLSH nuk kishte dërguar asnjë kallëzim penal pas përfundimit të auditimit në vitin 2023.
Ishte vetë Prokuroria e Tiranës ajo që në prill të vitit 2024 i kishte kërkuar zyrtarisht KLSH-së dosjen e auditimit për ta bërë pjesë të hetimeve të saj. Më e rënda akoma, dy audituesit që kishin kryer auditimin në Onkologjik pësuan goditje institucionale: njëri prej tyre u detyrua të dorëhiqet nga KLSH, ndërsa tjetri u largua nga shërbimi civil përmes vlerësimeve negative, duke fituar më pas të drejtën në rrugë gjyqësore. Të gjitha këto fakte tronditëse të dokumentuara me data, shifra dhe shkresa zyrtare provojnë se si sektori i shëndetësisë është kthyer në një zonë të mbrojtur nga kontrolli i lartë shtetëror. Përmes zgjatjeve artificiale të afateve, mosdërgimit të raporteve, shtyrjes së auditimeve të planifikuara nga viti në vit dhe ndëshkimit të vetë audituesve, miliardat e koncesioneve shëndetësore vazhdojnë të rrjedhin të patrazuara nga asnjë kontroll real financiar.
Shënim: Të gjitha shkrimet dhe materialet që Gazeta “SOT” ka publikuar dhe do të publikojë lidhur me shkeljet e Arben Shehut të Kontrollit të Lartë të Shtetit do t’i dërgohen Prokurorisë së Posaçme (SPAK), së bashku me dokumentacionin përkatës, për t’iu nënshtruar verifikimeve dhe vlerësimit nga organet kompetente.
Nga: Gazeta Sot
