9 Mars 2026

Kryeministri Edi Rama njoftoi se pavarësisht të gjitha problemeve me drejtësinë, Belinda Balluku do të vazhdojë të drejtojë qarkun e Fierit.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ku u prezantua edhe raporti i PS që hodhi poshtë kërkesën e SPAK për autorizim për heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e saj, Rama deklaroi se si askush tjetër, Belinda Balluku i mban kontaktet me territorin.

Ai u shpreh se “nuk ka ndërmend ta bëjë as hero dhe as viktimë”, ndërsa shtoi se “nuk është e lehtë të punohet me të”. Po ashtu, Rama deklaroi se “nuk do të kalojë vijën e kuqe, për ta shpallur atë të pafajshme”.

“Ka disa që mendojnë se fitoret shembullore të Belindës dhe skuadrave të udhëhequr prej saj në territor burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte. Kjo mbetet për tu parë në zgjedhjet vendore në Fier. Ku ajo do të vazhdojë të drejtojë qarkun dhe nuk do jetë në asnjë pushtet ekzekutiv. Ajo që di unë me siguri është se pak kush nga ne i mban si Belinda Balluku kontaktet me territorin duke shkuar në zonat që mbulon si drejtuese politike.

Nuk kam ndërmend ta shpall as hero dhe as viktimë Belindën sot, dhe uroj që në hetimin e cështjes për të cilën ajo akuzohet se ka kryer një vepër penale, prokuroria të shterojë cdo pistë që mund të cojë tek korrupsioni. Në fund të ditës gjithkush pas të 18 varet vetëm nga këmbët e veta. Unë si kryeministër, nuk e kam as të mundur, por nuk e kam as të lejuar qoftë nga ligji e zakoni që ti mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori.

Nuk kam ndërmend tju them që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë, pasi ca më shumë e ca më pak e dimë të gjithë sa e lehtë të merresh me të sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë dhe do me cdo kusht që të dalë e vetja. Nuk kam ndërmend ta shpall të pafajshme për çka akuzohet apo të shkel për të vijën e kuqe, që e kam vizatuar para deputetëve në këtë sallë të nesërmen e miratimit të reformës në drejtësisë”, deklaroi nder te tjera Rama.