9 Mars 2026

Pasi PS shprehu publikisht qëndrimin kundër arrestimit të Belinda Ballukut në mbledhjen e grupit parlamentar, kryeministri Edi Rama mori fjalën, duke thënë se ndaj saj nuk është ngritur akuza e korrupsionit apo vjedhjes.

Kreu i qeverisë tha se akuza për shkelje të barazisë në tendera është ngritur bazuar, sipas tij, në disa mesazhe të gjetura disa vite më vonë në telefonin e një ish zyrtari, duke iu referuar vartësit të Ballukut, Evis Berberi.

Kryeministri shënjestroi edhe Prokurorët e SPAK dhe GJKKO, teksa tha se u vunë në lëvizje menjëherë sapo Gjykata Kushtetuese pezulloi përkohësisht pezullimin nga detyra të Ballukut, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar.

“Ndaj saj është ngritur një akuzë, jo për vjedhje, jo për korrupsion, dhe të lidhur me ndonjë skenë krimi apo flagrancë në krye e një vepre të rëndë penale. Por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish ministres, ka kryer veprën penale pabarazi në tendera publikë. 6 vite më parë, bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish drejtori. Mbi këtë fakt, ende krejt të pahetuar asokohe, për si rëndon servirur më parë përmes korrierëve që hyjnë e dalin te kuzhina e stacionit të trenit si gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit politik e mediatik, u vendos fillimisht me një turravrap nga prokurori dhe gjykatësit të seancës paraprake pezullimi i anëtares së kabinetit.”, 

Masë absurde sepse pezulloi funksionin dhe jo thjesht personin. Nuk ka ndodhur kurrë dhe askund tjetër në botë një budallallëk i kësaj natyre. Më pas pa pritur fare përfundimin e procesit të hapur prej nesh në GJK, për ndërhyrje të patolerueshme në kompetencat e pushtetit ekzekutiv, sapo gjykata e pezulloi masën e pezullimit dhe deklaroi se do t’i hynte cështjes në themel, erdhi turravrapi i dytë. Kërkesa që diskutojmë sot. E diskutojmë me të drejtën që na jep kushtetuta për të autorizuar ose jo për arrestin e një deputeti.”, tha Rama.

Rama komentoi me ironi edhe akuzat e ngritura ndaj Belinda Ballukut, ndaj së cilës thuhet se ka 300 apartamente e dy jahte.

“Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembur dhe të bërë zakon nga grupet hetimore të stacionit të trenit, që i përdorin mediat si forca paramilitare të fajësimit e asgjësimit publik, mjaftoi që ndaj Ballukut të ngrihen të tëra dallgët e detit të urrejtjes që zihen pa pushim në të 700 tenxheret e pazarit tonë politik e mediatik dhe të mblidhen të tëra retë e fantazive perverse të rrjeteve sociale.

Për ta kthyer njeriun në një kriminele, 300 vila, dy jahte, 10 mijë euro soluzione magjike për një larje makine ndërkohë rrugët e ndërtuara në periudhën e drejtimit të saj u shembën nga korrupsioni. Shirat u derdhën në gjyma dhe përmbytjet mbuluan edhe malet nga mungesa e kanaleve të vjedhura prej saj. Erdhi më në fund nga thirrjet historike jashtëderdhjes në bulevard, e shumëpritura ora e hakmarrjes së madhe na një njeri që e çoi PD për jufka në Dibër dhe e asfaltoi krejt në Fier me gjithë gazin e Zegjinesë, burri i parë në historinë e Evropës që komiteti i Helsinkit e mori në mbrojtje nga një vajzë. “, tha Rama.