Nga skandali i ministrit të Jashtëm që i humbi laptopi me të dhënat sekrete të NATO-s në SHBA, shtatzënia e Belinda…
10 Gusht 2026
Grid Rroji tregon se çfarë po përgatitet në prapaskenë
Grid Rroji, analist dhe pedagog i shkencave politike në universitetin “CUNY-New York” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka dhënë një intervistë të fortë për “Vip Magazine” mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.
I pyetur mbi aludimet për shtatzëninë e Belinda Ballukut pasi u mor e pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), z. Rroji u shpreh se “Paria e Tiranës” është e aftë të përdorë çdo gjë për t’i shpëtuar burgut.
Ai theksoi se këto përplasje publike janë thjesht një lojë për të shmangur vëmendjen nga vjedhja masive e pronave dhe parave të shqiptarëve. Sipas tij, pushteti dhe opozita janë të gjithë bashkë në një sistem që nuk njeh as ligj e as frikë ndaj Zotit.
Për këtë arsye, Rroji i bën thirrje popullit shqiptar për rebelim dhe protestë me çdo mjet legjitim për të dalë nga skllavërimi. Ai e cilësoi funksionimin e SPAK-ut si të vonuar dhe të ndikuar nga prapaskenat e politikës. Si zgjidhje afatgjatë, ai propozon ndërtimin e një “shtetkombi” të ri, ku zbatohet thundra e ligjit dhe rikthimi i dënimit me vdekje.
Më tej, ai e konsideroi tradhti kombëtare vendimin për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër në këtë moment tensionesh në Kosovë. Rrojikritikoi ashpër edhe opozitën që merret me thashetheme kafenesh në vend që të kërkojë shkarkimin e ministrit të Jashtëm.
Në mbyllje, ai paralajmëroi se vendi po shkon drejt një përplasjeje të re sociale, etnike e rajonale, e cila rrezikon të jetë shumë më e dhunshme dhe kaotike se ngjarjet e vitit 1997.
Pjesë nga intervista e z. Rroji
-Zoti Rroji, javës që shkoi Belinda Balluku u mor e pandehur edhe për disa lote të tjera të Unazës së Madhe. Përveçse u mor e pandehur, në fakt vëmendjen e mori edhe një aludim i zotit Sali Berisha, kryetarit të Partisë Demokratike, se ajo është shtatzënë dhe po e përdor shtatzëninë e saj për t’i shpëtuar drejtësisë. Mund të shkojë deri këtu?
Grid Rroji: Kjo pyetje është absurde në kontekstin e Parisës së Tiranës. Paria e Tiranës është e gatshme që të bëjë gjithçka. Pra, unë nuk do të habitesha fare që këta të përdorin shtatzëninë. Këta nuk kanë frikë as Zotin.
Janë mësuar që të veprojnë në mënyra të tmerrshme dhe nuk kanë frikë as ndëshkimin që Zoti ua garanton të gjithë atyre që bëjnë lojëra me çështje të tilla madhore, siç janë çështjet e shtatzënisë, bërjes së fëmijëve, të cilat janë çështje që kanë të bëjnë me vazhdimësinë e jetës dhe janë çështje themelore teologjike në të gjitha llojet e feve dhe në të gjitha llojet e besimeve të ndryshme.
Por, qoftë edhe për një ateist, jeta është gjëja më e çmuar e të tjerë e të tjerë. Pra, pavarësisht kush e ka dhënë jetën, nuk do të habitesha. Në të njëjtën kohë, Sali Berisha është mësuar që për çdo të vërtetë që thotë, ta ketë si përpjesëtim të thotë të paktën 1,000 gënjeshtra.
Pra, ekzagjerimet dhe gënjeshtrat e tij nuk mund të merren për bazë, por në çdo rast nuk do të habitesha nëse këta kanë gjetur një mënyrë për të ndenjur jashtë burgut, duke u marrë vesh edhe me SPAK-un që si njerëz shtatzënë të mos hyjnë në burg.
Tani le t’i kthehemi substancës, sepse kjo çështja e shtatzënisë është për të hequr vëmendjen nga mënyrat se si këta i kanë pirë gjakun çdo shqiptari, i kanë futur duart në xhep çdo shqiptari në çdo rast, të gjithë bashkë, pa u ndalur, pa u tutur, pa pasur asnjë lloj frike nga ndëshkimi që mund t’u vijë, sepse kontrollojnë edhe gurin, edhe arrën.Zonja Balluku, përveç faktit që ka vjedhur në të gjitha llojet e tenderave siç po duket përditë e më shumë, ose siç po e akuzon së paku, përflitet që ka edhe 300 apartamente.
Pra, nuk e ka pasur as frikën më të vogël ndaj ligjit, ndaj ndëshkimit të ligjit, në të njëjtën mënyrë sjelljeje siç janë sjellë të gjithë bashkëqeverisësit e saj, siç janë sjellë shumë qeveritarë, siç janë sjellë shumë opozitarë, siç vazhdojnë e sillen të gjithë anëtarët e Parisës së Tiranës.
Sepse mos harroni si tha për atë deputetin e Partisë Demokratike: “është djalë i mirë ai, janë familjet tona, do merremi vesh me njëri-tjetrin”, atij që i dha një tender nga Ministria e saj. Pra, këta janë të gjithë bashkë.
Këta nuk kanë frikë asgjë. Nuk kanë frikë as popullin, nuk kanë frikë as ligjin. Ndaj ka ardhur koha që populli shqiptar, çdo shqiptar që e njeh veten për shqiptar, duhet ta mendojë mirë ku jemi sot, pse jam këtu sot, kush më ka skllavëruar dhe kush po vazhdon skllavërimin tim dhe në çfarë mënyre mund të dal unë nga ky skllavërim.
Për mendimin tim, sot e vetmja zgjidhje e duhur është një rebelim, është protesta me të gjitha llojet e mjeteve. Në këtë pikë ku kemi ardhur, kur jemi shumë pranë një përplasjeje të frikshme, nuk ka asnjë ndalesë. Të gjitha mjetet janë legjitime.
Çdo mjet në çdo lloj forme, në çdo lloj mase është legjitim. Dhe çdo shqiptar që e ndjen veten shqiptar dhe që e sheh veten në këtë gjendje, jo për shkak të asaj që ka bërë ai, por për shkak të asaj që bën paria e Tiranës dhe Sindikata Ndërkombëtare e Krimit nga e cila paria e Tiranës kontrollohet sot, duhet të bëjë me çdo kusht të gjitha veprimet e mundshme për të dalë nga ky qerthull. Pra, sot kërkohet që veprime si këto të zonjës Balluku t’i kundërshtojë populli shqiptar me çdo mjet, me çdo lloj forme të mundshme. Çdo formë sot është legjitime.
-Sa shanse ka që drejtësia të vihet në shinat e duhura dhe ata që kanë shkelur ligjin të shkojnë para drejtësisë dhe të mos ketë më aludime se drejtësia po e fal X-in apo Y-in?
Grid Rroji: Shikoni, drejtësia e vonuar është një drejtësi e munguar. Këta kontrollojnë aq shumë nga levat e shtetit, saqë edhe me SPAK-un janë duke luajtur si macja me miun. Vonesat e SPAK-ut janë në njëfarë mënyre të pajustifikuara, sepse provat janë jashtëzakonisht shumë të mëdha, dhe pamundësia e SPAK-ut për të bërë një ndryshim, për të arrestuar njerëz, për të pasur shumë më tepër ndikim në drejtësi, me shumë gjasë është edhe për shkak të veprimeve të Parisës së Tiranës që nuk lejon shumëçka që të ndodhë, por edhe për shkak se paria e Tiranës ka levat e veta brenda përbrenda SPAK-ut.
Kështu që e vetmja mënyrë për drejtësi është një ndryshim thelbësor. Është një drejtim i shtetit drejt një shtetkombi të ri, me role të reja, me shtrëngesa të tjera dhe me shtrëngesa reale ndëshkimi me atë që kanë bërë këta. Domethënë, këta kanë shndërruar shtetin shqiptar në një bahçe droge.
Këta kanë shndërruar shtetin shqiptar në një vend ku vijnë më shumë të huaj sesa në çdo vend tjetër të Evropës për frymë. Këta e kanë shndërruar shtetin shqiptar në vendin i cili eksporton më shumë mjekë në Evropë. Pra, mjekët edukohen në Shqipëri dhe ikin për të punuar në Evropë, nga sytë këmbët.
Këta e kanë shndërruar shtetin shqiptar në një vend ku po shpiken lloje të reja kanceresh të cilat studiohen në të gjithë botën për shkak të ndotjes, për shkak të ushqimit, për shkak të çdo gjëje. Këta i kanë shndërruar shqiptarët në skllevër të himeve serbe.
Pra, shqiptarët hanë hime serbe në bukën e tyre, pavarësisht restoranteve të bukura dhe çdo gjëje tjetër që ka luks. Pra, në këtë pikë shqiptarët janë një nga popujt më të shtypur që jetojnë sot në Evropë. Pavarësisht se duket sikur çdo gjë është mirë, duket sikur çdo gjë është në rregull, paria e Tiranës ka kryer krime të përbindshme. Për këtë pari nuk mjaftojnë mekanizmat e sotëm.
Për këtë pari duhet thundra e ligjit, duhet ndëshkim, ndëshkim real, duhet ndoshta rikthimi i dënimit me vdekje, duhen të gjitha mekanizmat që përdor edhe bota e qytetëruar, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat… pra, të gjitha këto mekanizma duhen përdorur me fuqinë sa më të madhe të ligjit. Por që të ndodhë kjo, duhet që shqiptarët të kuptojnë që e vetmja zgjidhje, i vetmi rrugëtim drejt shpëtimit është shtetkombi, dhe shtetkombifunksionon në mënyrë që t’i shërbejë shqiptarëve.
Rruga drejt shtetkombrit është e parashtruar tek manifesti politik i bletës shqiptare, të cilin bashkë me disa kolegë dhe miq e kemi botuar dhe shpërndarë nëpër Shqipëri që në 2016, dhe çdokush mund ta shohë, ta lexojë, dhe derisa të mbërrimë tek vetëdija e plotë se çfarë thotë ky manifest, gjëja e parë që duhet të bëjë gjithkush është të protestojë, të bojkotojë, të rebelohet ndaj këtij sistemi, të bëjë çkado që ka në dorë, sepse përndryshe nesër do të jetë vonë.
Përndryshe nesër thundra e Parisës së Tiranës dhe e pronarit të saj, Sindikatës Ndërkombëtare të Krimit, i cili, le të mos harrojmë, është një pronar që është i mësuar të shtypë popuj dhe t’u nxjerrë dhjamin nga pleshti, do të kërkojë araçin e vet dhe nuk do të jetë e thjeshtë dhe nuk do të ketë asnjë rrugëzgjidhje tjetër përpos kësaj që po them unë tani, e cila është: rebelohuni me çdo mjet! Përndryshe do të mbeteni skllevër ju, do të mbetet skllevër e ardhmja jonë, e të gjithëve, e brezave që vijnë, dhe ne që jetojmë në mërgatë jo vetëm do të na lini pas, por do të lini breza të tërë shqiptarësh pa asnjë lloj mundësie zhvillimi.
–Mjaft debate ka hapur në Shqipëri edhe, le të themi, një ide ose një vendim i qeverisë shqiptare që të hapej një konsullatë e Serbisë në Shkodër. Pse kjo marrëdhënie me Serbinë në një kohë kur, le të themi, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë në nivele shumë të larta?
Grid Rroji: Paria e Tiranës e ka shitur Kosovën dhe vazhdon ta shesë Kosovën pa asnjë lloj dyshimi. Kjo lloj vendosjeje është një tradhti kombëtare që meriton dënimin më të madh.
Ai ministër i Jashtëm, i cili është një vegël e shumëkujt, të cilit i ka humbur laptopi në ambasadë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në misionin shqiptar — i ka humbur laptopi i NATO-s me të dhënat e NATO-s brenda, dhe që ka një seri skandalesh si diplomat — ai meriton që të shkojë në gjykim për tradhti kombëtare së bashku me të gjithë ata që e kanë propozuar këtë.
Kjo është një minim i hapur i qeverisë së Kosovës, e cila është një qeveri sovrane, dhe në vend që të bashkëpunojnë të dyja entitetet shqiptare për një integrim kulturor, për një integrim sa më të mundshëm ekonomik dhe për një bashkërendim të agjendës diplomatike, ne kemi të bëjmë medisa njerëz të cilët shesin çdo gjë nën presion, sigurisht, sepse ai që ka ngrënë njëherë një lugë çorbë të prishur gjendet gjithmonë nën trysni. PDhe dua të theksoj edhe një fakt tjetër, të vë në dukje që nuk po ndihet as opozita shumë për këtë tradhti kombëtare.
Ajo që i thotë vetes opozitë, nëse nuk ngrihet për këtë, për çfarë pune i duhet shqiptarëve kjo lloj opozite? Për të dalë në konferencat për shtyp dhe për të folur si llazore kafenesh për të thënë “ky shkoi me këtë”, “kjo ka fëmijë me këtë”, “kjo është shtatzënë”, “ky është shtatzënë”? Opozita reale, normale në çdo vend të botës do duhej që të bënte një reagim të tmerrshëm, do duhej që të kërkonte shkarkimin e menjëhershëm të ministrit të Jashtëm, do duhej që të kërkonte që ministri i Jashtëm të shkonte në burg minimalisht dhe që të gjykohej nga organet e sigurisë kombëtare për tradhti, sepse këtë ka bërë.
Me atë marrëveshje që ka bërë me ministrin serb, ka barazvendosur katër ose pesë serbë të deklaruar që mund të jetojnë në Shkodër me Bujanocin, duke bërë një ngatërresë të qëllimshme, sepse në Bujanoc fatkeqësisht nuk ka më shqiptarë.
Të paktën të kishte bërë Preshevën që të dilte më i larë nga pikëpamja etnike, por jo në Bujanoc ku shqiptarët janë spastruar etnikisht në mënyrë jashtëzakonisht shumë sistematike nga serbët, të cilët e kanë këtë taktikë prej shekujsh, e kanë pjesë të strategjisë së tyre kombëtare: spastrimi i shqiptarëve ngadalë-ngadalë, fshat për fshat, zonë për zonë, dhe quajtja e tyre pastaj thelb i identitetit serb.
Në vend që të vinte në dukje gjëra të tilla, qeveria shqiptare shkon dhe bën marrëveshje. Tani, pse bëhet kjo? Se njerëzit duhet ta pyesin veten: ore, pse ndodhi tani kjo? Mirë, dakord, këta janë të gjithë tradhtarë, këta të gjithë e kanë shitur vetveten, e kanë shitur Shqipërinë disa herë. Nuk u desh kryeministri karagjoz i fundit për të filluar këtë lloj procesi.
Pse ndodh tani kjo? Aty duhet ta ndalin veten dhe t’i japin këtë përgjigje, që është e vetmja përgjigje e mundshme: sepse tani po mprehen armët për atë konfliktin e ardhshëm, i cili nuk është edhe fort larg, nuk është larg fare, i cili po përparon në mënyrë të frikshme.
Ai konflikti i ardhshëm me bazë fetare, etnike, sektare, jug-veri… të gjitha llojet e ndasive pasive që ka mbjellë dhe vazhdon të ujisë paria e Tiranës dhe të gjithë armiqtë e popullit shqiptar me anë të këtyre veglave të tyre që funksionojnë në parinë e Tiranës, është pikërisht kjo: po mprehen armët për përplasjen që po vjen, po përgatitet terreni për përplasjen që po vjen, dhe është një përplasje që do t’i përngjasë shumë pak ’97-ës nëse lejohet të shkojë puna aty, por do të jetë një përplasje shumë më kaotike, shumë më e dhunshme, shumë më e dëmshme dhe tejet më e thellë sesa ajo që ishte ’97-a.
Pra, kushdo që e ka përjetuar atë kohë, duhet ta mendojë mirë veten se ku po shkojmë dhe se si do të përfundojë kjo meseleja e këtyre të gjithë këtyre shenjave. Se nuk është vetëm kjo shenja.
Ka shumë grupime që po shfaqen përditë e më shumë të sigurt në vendin e tyre, duke u matur me shqiptarët, duke thënë që nuk është më ky vendi juaj, ky është vendi ynë — grupime etnike-fetare të ndryshme të cilat kontrollojnë lojën dhe të cilat mendojnë se të gjitha kanë pjesë te skllavërimi i shqiptarëve.
Dhe të vetmit që nuk pyeten në këtë mes janë shqiptarët, të cilët do të gjenden në mes dhe do të detyrohen nga paria dhe nga pronari i ri i shtetit shqiptar që të luftojnë mes vetes, vëlla me vëlla, motër me motër, qytet me qytet, krahinë me krahinë, sepse kjo është zgjidhja që u vlen atyre. Ndaj dhe duhet rebelim sot, sepse aty ku po shkojmë nuk është aspak e këndshme.
Nga Gazeta Sot

