10 Gusht 2026

Konfirmimi i gjeneral-lejtnantit në pension Eric Wendt si ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Shqipëri ka ndezur diskutime të forta për një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet Tiranë–Washington. Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka reaguar në rrjetet social, ndërsa e cilëson këtë lëvizje si një sinjal të fortë se Shqipëria po hyn në një etapë të re strategjike. Sipas tij, emërimi i një figure me profil të lartë ushtarak nuk është rastësi dhe lidhet me forcimin e rolit të Shqipërisë në NATO. Ngjela paralajmëron se vendi mund të përfshihet në një proces të thellë modernizimi të kapaciteteve të tij ushtarake.

Në fokus, ai përmend flotën detare, armatimin modern, sistemet raketore dhe forcimin e aviacionit ushtarak. Një tjetër pikë e rëndësishme është modernizimi i infrastrukturës ushtarake, përfshirë bazat në Kuçovë, Rinas, Pashaliman dhe Karaburun. Sipas Ngjelës, këto zhvillime do t’i jepnin Shqipërisë një peshë shumë më të madhe në strukturën e sigurisë së NATO-s në rajon. Ai shkon edhe më tej, duke argumentuar se Shqipëria mund të shndërrohet në një pikë kyçe të fuqisë ushtarake perëndimore në Ballkanin Perëndimor. Emërimi i Wendt, sipas këtij interpretimi, mund të jetë sinjali i parë i një kapitulli të ri në bashkëpunimin strategjik mes Tiranës dhe Washingtonit. Tashmë mbetet për t’u parë nëse këto paralajmërime do të shndërrohen në hapa konkretë për modernizimin dhe forcimin e ushtrisë shqiptare.

Reagimi i z. Ngjela

“U konfirmua se! Gjeneral-lejtënanti (në pension) Eric Wendt është emëruar në rolin e Ambasadorit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri! Kjo tregon se, në lidhje me marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Tiranës, historia e Shqipërisë ka hyrë në një etapë të re. Kjo tregon gjithashtu se reformimi i ushtrisë shqiptare duket se tani është bërë një fakt i kryer. Dhe kjo sigurisht që është një ngjarje e madhe për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar. Sepse janë disa aspekte thelbësore që ngritja e re e ushtrisë shqiptare, do të ketë një rëndësi të veçantë: Flota moderne me anije lufte të rangut të parë luftarak; Armatim teknologjik me raketa tokën- tokë; dhe raketa tokë – ajër; Rikonstuktimi modern i të dy aeroporteve ushtarakë që ka pasur Shqipëria: Rinasi dhe Kuçova;. Krijimi nga e para i flotës ushtarake ajrore në Shqipëri, me avionë të rangut të parë ultramodern; duke u kujtuar se flota luftarake në Shqipëri ka qenë e pajisur me mbi 300 avionë luftarakë.

Por edhe: Ngritja nga e para e flotës detare moderne në Pashaliman dhe në Karaburun; Krijimi nga e para i aeroporteve ushtarakë sipas skemës që ka funksionuar në Shqipëri gjatë periudhës se komunizmit. Dhe e gjithë kjo ndërmarrje specifike në formimin e Ushtrisë moderne të Shqipërisë, i krijon NATO – s një mundësi për të qenë forca e parë ushtarake në  Ballkanin Perëndimor”, shkruan Ngjela. Kujtojmë se të premten që shkoi (7 gusht 2026) senati amerikan ka votuar për konfirmimin e Eric Wendt si ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Kandidatura e Wendt u miratua në bllok së bashku me 73 zyrtarë dhe diplomatë të tjerë, me 51 vota pro dhe 47 kundër.