Nga 3 vota, potecialisht 31 vota në Bërzhitë – Bashkia Tiranë

Nga Boiken Abazi

Nga 3 vota, potecialisht 31 vota në Bërzhitë – Bashkia Tiranë

Mbrëmë morëm nga KQZ-ja një pjesë të konsiderueshme të pamjeve filmike nga Qendrat e Numërimit për Qarkun Tiranë, ku kam kandiduar si i pavarur. Sot, një ekip i aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tiranë përzgjodhi në mënyrë rastësore për monitorim të pamjeve filmike Njësinë Administrative Bërzhitë në Bashkinë e Tiranës, me tetë ( 8 ) Qendra Votimi. Numërimi i kutive të votimit të këtyre 8 qendrave është bërë në shkollën “1 Maji”, KZAZ nr. 30 në Tiranë. Gjetjet e ekipit janë domethënëse, si në vijim:

Votat e raportuara nga KQZ-ja për 8 Qendrat e Votimit të Njësisë Administrative Bërzhitë për kandidaturën time janë në total 3.

Në ndërkohë, nga monitorimi i ekpit të aktivistëve i pamjeve filmike për 8 Qendrat e Votimit del që:

  • 2 vota të tjera për kandidatin e pavarur kanë qenë të vlefshme, të sakta dhe nuk janë marrë parasysh e nuk janë pasqyruar në procesverbal.
  • 21 vota të tjera kanë dy shenja X: një për kandidatin e pavarur dhe një për PS.
  • 4 vota të tjera kanë dy shenja X: një për kandidatin e pavarur dhe një për PD.
  • 1 votë ka tre shenja X: një për kandidatin e pavarur, një për PS dhe një për PD.

*** Kjo do të thotë se nga 3 vota, potecialisht në Bërzhitë numri i votave tona mund të ketë qenë 31.

Në vijim do të gjeni tabelën përmbledhëse të të dhënave të monitorimit, si dhe fotografitë për të gjithë fletët e votimit të sipërpërmendura. Këto fotografi nuk janë publikuar më herët dhe i kemi marrë nga pamjet filmike të KQZ-së.

Është tejet e rëndësishme që e vërteta të zbulohet për atë që ka ndodhur. Krimi elektoral duhet ndëshkuar! Njësia administrative Bërzhitë, e përzgjedhur prej nesh në mënyrë rastësore, dëshmon se ka patur një deformim të votës dhe shkelje të rënda ligjore.