Ish Harku i famshëm shkëmbor Hōlei Sea Arch, në Hawaii

3 Tetor 2026
Një nga vendet më të fotografuara në Hawaii nuk ekziston më.

Harku i famshëm shkëmbor Hōlei Sea Arch, në Hawaii, është shembur dhe ka përfunduar në Oqeanin Paqësor. Formacioni natyror ishte rreth 27 metra i lartë dhe ishte krijuar nga llava rreth 550 vite më parë.

Sipas Shërbimit të Parqeve Kombëtare të SHBA-ve, harku ishte ende i dukshëm më 23 shtator, por deri më 27 shtator ishte zhdukur.

Momenti i saktë i shembjes nuk dihet.

Harku ndodhej në fund të rrugës Chain of Craters, në Parkun Kombëtar të Vullkaneve të Hawaii-t, dhe ishte një nga vendet më të fotografuara nga turistët.

Shkëmbinjtë përreth tij kishin shfaqur prej vitesh shenja paqëndrueshmërie. Tërmetet e shkaktuara nga shpërthimi i vullkanit Kīlauea në vitin 2018 kishin dëmtuar më tej shkëmbinjtë pranë harkut.

Në vitin 2020, parku mbylli zonën fillestare të vrojtimit pasi u shfaqën çarje të reja në shkëmbinj. Më pas u hap një pikë e re, më larg dhe më e sigurt për vizitorët. Edhe stuhitë tropikale kishin shkëputur më herët pjesë të harkut.

Ish Harku i famshëm shkëmbor Hōlei Sea Arch, në Hawaii 

Autoritetet kishin paralajmëruar që në vitin 2021 se formacioni do të shembej një ditë.

Fundjavën e kaluar, parku u mbyll përkohësisht për shkak të stuhisë tropikale Nolo, periudhë gjatë së cilës besohet se ka ndodhur shembja.

Shërbimi i Parqeve Kombëtare e cilësoi shembjen si një tjetër ndryshim të vijës bregdetare të egër dhe të largët të parkut. Pas lajmit, mijëra njerëz kanë ndarë në rrjetet sociale kujtime dhe fotografi nga vizitat e tyre te harku.