Bluza në vend të palltove të dimrit, çfarë tregon një tetor i ngrohtë për dimrin

3 Tetor 2026
Meteorologët parashikojnë një tetor të ngrohtë me temperature deri në 25°C në disa pjesë të Europës. Për fermerët një vjeshtë e ngrohtë paralajmëron një dimër të ashpër. Por çfarë thonë statistikat dhe meteorologët?
Tetori ka nisur me temperatura jashtëzakonisht të buta, edhe deri në 28 gradë Celsius në Shqipëri por dhe në disa shtete të tjera të Europës.
Ndryshe nga një vjeshtë e lagësht dhe e paqëndrueshme, duket se po përjetojmë një verë të vonuar.
Për fermerët një tetor i ngrohtë paralajmëron një dimër të ashpër.
Por a është vërtet kështu?
A është tetori i ngrohtë shenjë paralajmëruese?
Thëniet e vjetra të fermerëve shërbenin si një lloj parashikimi për motin. Shumë kohë përpara se të ekzistonin satelitët, balonat meteorologjike dhe modelet kompjuterike, njerëzit vëzhgonin brez pas brezi mënyrën se si zhvilloheshin stinët. Përvoja e grumbulluar prej tyre u shndërrua në vargje të lehta për t’u mbajtur mend, që synonin të ofronin udhëzime për bujqësinë dhe jetën e përditshme.
Problemi është se diçka që duket e besueshme kur vëzhgohet përgjatë dekadave, është ende larg të qenit një lidhje e besueshme. Prandaj, kur bëhet fjalë për tetorin dhe dimrin që pason, ia vlen të shohim të dhënat e së kaluarës – dhe historia ofron një kundërshembull mjaft spektakolar.
Kur rregulli i fermerëve dështoi plotësisht
Vjeshta e vitit 2006 në Gjermani, për shembull, ishte jashtëzakonisht e ngrohtë. Kushdo që do t’i ishte besuar rregullit të vjetër në atë kohë, do të ishte përgatitur për një dimër shumë të ftohtë.
Por ndodhi krejt e kundërta: dimri i viteve 2006/07 u bë më i ngrohti në Gjermani që nga fillimi i regjistrimeve të rregullta meteorologjike në vitin 1901. Shërbimi Gjerman i Motit (DËD) llogariti në atë kohë një temperaturë mesatare prej 4.3 gradë Celsius – 4.1 gradë mbi mesataren afatgjatë ndërsa nuk pati asnjë periudhë të zgjatur me temperatura nën zero.
Edhe dhjetori i vitit 2006 ishte jashtëzakonisht i butë, ndërsa janari vendosi një rekord të ri temperaturash. Rregulli i vjetër kishte dhënë një nga parashikimet më të gabuara të mundshme.
Pse tetori nuk ‘programon’ janarin
Të dhënat e matjeve tregojnë se përshtypja aktuale për një ‘vjeshtë si verë’ nuk është thjesht subjektive. Sipas Shërbimit Gjerman të Motit, shtatori 2026 në Gjermani pati një temperaturë mesatare prej 15.9 gradë Celsius, 2.6 gradë mbi normën afatgjatë. Reshjet ishin gjithashtu ndjeshëm më të ulëta se zakonisht.
Më 30 shtator, në zonën e Rinit të Sipërm u regjistruan 31 gradë, ndërsa në Badenin verior 29 gradë. Më 1 tetor, temperaturat arritën në 25 gradë në Bavari dhe Saksoni, ndërsa në Berlin dhe Brandenburg u regjistruan 23 deri në 25 gradë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se i gjithë tetori do të vijojë kështu. Pritet që modeli i motit të ndryshojë gjatë ditëve në vijim, me ulje të temperaturave.
Moti në Gjermani ndikohet nga qarkullime të mëdha ajrore. Gjatë muajve të dimrit, rol luajnë faktorë si modelet e presionit mbi Atlantik, e ashtuquajtura Lëkundja e Atlantikut të Veriut (NAO) dhe ndryshimet në atmosferën e Arktikut. Edhe vorbulla polare mund të ndikojë në mënyrën se si shpërndahen masat e ajrit të ftohtë.
Për këtë arsye, parashikimet specifike të motit për disa muaj janë të vështira edhe me modelet moderne. Sa më larg në kohë të shikosh, aq më pak bëhet fjalë për përcaktimin e motit në një ditë të caktuar dhe aq më shumë për probabilitetet dhe zhvillimet e mundshme.
El Niño dhe ndikimi i tij
Një faktor që e bën veçanërisht interesante perspektivën për dimrin 2026/27 është: El Niño.
Ky fenomen klimatik në Paqësorin tropikal po zhvillohet aktualisht me intensitet të pazakontë. Sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA-së (NOAA), ekziston një probabilitet prej më shumë se 90 për qind për një ngjarje shumë të fortë El Niño gjatë vjeshtës dhe dimrit 2026/27.
Për periudhën nga tetori deri në dhjetor, NOAA vlerëson në 75 për qind mundësinë që intensiteti i fenomenit të tejkalojë të gjitha ngjarjet e mëparshme El Niño që nga viti 1950.
El Niño ndikon në sistemin global të klimës, por pasojat e tij ndryshojnë ndjeshëm nga një rajon në tjetrin dhe varen edhe nga kushtet e tjera atmosferike. Vetë NOAA thekson se ndikimet e parashikuara nuk janë të garantuara.
Atëherë, a do të ketë dëborë?
Një dimër i ftohtë, sigurisht, nuk përjashtohet. Edhe pas një vjeshte shumë të butë, kushtet dimërore mund të shfaqen në janar ose shkurt.
Por, si një besim i vjetër për motin, i krijuar në një kohë kur nuk ekzistonin satelitët, rregulli i fermerëve nuk ofron një parashikim të besueshëm. Prandaj, kushdo që mendon se një dimër I ftohtë po afrohet vetëm sepse temperaturat arrijnë 20 ose 25 gradë në fillim të tetorit, mund të qetësohet. Një tetor i ngrohtë nuk është numërimi meteorologjik mbrapsht drejt ngricave. /Euronews.com/
