11 Korrik 2026

Nga Migena Aleksi

Një protestuese tha dje në tubimin e zhvilluara para godinës së Kryeministrisë se shpërndarja e biletave falas për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, për të marrë pjesë në koncert, veç të tjerave është skandal për shkak të moshës.

Lloji i muzikës që bën West nuk është për fëmijët e 9-vjeçares, pasi ka mesazhe eksplicite dhe seksuale.

Denoncimi se 4 milionë euro janë marrë nga fondi i emergjencave për të paguar një yll ndërkombëtar (i cili për më tepër ka qenë në qendër të bojkotit global për shkak të deklaratave të tij kontreverse)  është njëra anë e medaljes.

Fondet e emergjencës ligjërisht ekzistojnë për fatkeqësi natyrore, kriza shëndetësore apo situata të paparashikueshme që kërcënojnë sigurinë e qytetarëve. Përdorimi i këtyre parave për show dhe zbavitje dëshmon një papërgjegjshmëri të thellë.

Por ana tjetër e medaljes është pjesa ku Ministria e Arsimit shpërndan biletat falas nëpër grupe komunikimi për nxënësit e shkollave 9-vjeçare.

Janë fëmijë! Kjo tregon një dështim institucional në mbrojtjen e tyre që nuk dimë çfarë emri t’i vemë!

Siç e thotë me të drejtë protestuesja, diskografia e Kanye West është e mbushur me tekste eksplicite, gjuhë të rëndë dhe mesazhe seksuale që në çdo platformë ndërkombëtare (si Spotify apo Apple Music) mbajnë shenjën “Parental Advisory” (Këshillohet kujdes nga prindërit).

Në këngë shumë të njohura si “Famous”, “I’m In It”, apo në projektet e tij më të fundit (si albumet e serisë Vultures), ai përdor një gjuhë ekstremisht të drejtpërdrejtë për të përshkruar marrëdhëniet seksuale, shpesh duke përdorur terma fyes ose degradues për gratë.

Vetë Kanye West ka pranuar publikisht në intervista varësinë e tij ndaj pornografisë, dhe kjo pasqyrohet në tekstet e tij, ku fantazitë seksuale dhe jeta e shfrenuar e natës janë tema qendrore.

Fakti që shteti merr rolin e promotorit për këtë lloj muzike te fëmijët 10-14 vjeç tregon se zyrtarët e arsimit as nuk e kanë idenë se çfarë po promovojnë, ose thjesht po binden verbërisht për të mbushur sheshin e koncertit të radhës për qëllime propagande.

​Mesazhi që qeveria jep përmes këtyre politikave është shkatërrues për vlerat sociale. ​Ky denoncim nuk është thjesht për një koncert apo për një artist specifik.

Është një pasqyrë e qartë e një modeli që operon me fasadën si prioritet dhe lë pas dore thelbin: mirëqenien, edukimin dhe të ardhmen e shëndetshme të fëmijëve.