Nga Nexhat Merxhushi

Një nga zyrtarët më të lartë të misionit anglez në Shqipëri, majori Palmer, i cili kreu një udhëtim eksplorues në Greqinë e Veriut, pohon se “gjermanët në këtë rast nuk përfillën as lutjet e nacionalistëve shqiptarë çamë, që kishin besim tek ata për të realizuar aspiratat e tyre për bashkimin kombëtar. Më pas Zerva hyri në Çamëri dhe kreu krimet monstruoze që tashmë dihen”.

Nga hetimet  e tij Palmeri përpiqet të hedhë sadopak dritë mbi motivet kësaj masakre dhe ai jep një shpjegim interesant që i afrohet të vërtetës, ose më saktë është një pjesë e saj. Ai i raportonte eprorëve të tij: Rrethi ku banonte ky minoritet ishte i pasur, konsekuenca ka qenë gjithmonë një ndjenjë zilie dhe  urrejtjeje nga ana e grekëve për atë rreth ndaj çamëve”.

Në të njëjtën kohë Palmeri vë në dukje se pretendimi absurd për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia, të cilën shteti grek e kishte kultivuar në maksimum për disa dekada, kishte prodhuar “një urrjetje shumë të fortë, e cila drejtohej jo vetëm kundër çamëve, por kundër gjithë shqiptarëve në përgjithësi.

Ai vë në dyshim pretendimin se spastrimi etnik i Çamërisë u krye për shkak të bashkëpunimit të kësaj popullësie me gjermanët, por si pjesë e strategjisë shoviniste të Greqisë kundër shqiptarëve. Sipas majorit Palmer, nuk mohohet fakti që pati rreth 700 veta nga radhët e popullsisë çame që luftuan në radhët e ELLAS-it kundër gjermanëve.