18 Korrik 2026

Nga Orgen Peci

Një projektligj i ri për Bankën e Shqipërisë ka ofruar një mburojë penale për drejtuesit e institucionit përmes forcimit të imunitetit përballë ndjekjes penale dhe masave të arrestit.

Neni 72 i projektligjit ndalon çdo formë arrestimi apo kontrolli personal e të banesës për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe zv. guvernatorët pa marrë më parë një autorizim nga Gjykata Kushtetuese. Madje, sipas draftit, nëse kjo e fundit nuk shprehet brenda dy javësh, kërkesa e prokurorisë konsiderohet e refuzuar.

​Kjo tentativë për të rrethuar me imunitet paprekshmërie kupolën e institucionit bëhet edhe më alarmante nëse kujtohet e kaluara jo fort e largët.

Pikërisht në këtë institucion, gjatë kohës që drejtohej nga ish-guvernatori Ardian Fullani, u regjistrua një nga grabitjet më të bujshme dhe më të rënda në historinë e shtetit shqiptar – një precedent që dëshmon se Banka Qendrore ka qenë më parë vulnerabël ndaj skandaleve të përmasave historike.

Edhe pse në relacionin shoqërues theksohet vazhdimisht se këto ndryshime bëhen në kuadër të përafrimit me “acquis communautaire” të Bashkimit Evropian, ekspertët e ekonomisë dhe juristët ngrenë alarmin se po krijohet një tjetër “kështjellë politike”.

Kjo nismë e vendos edhe Bankën e Shqipërisë mbi drejtësinë dhe ligjet e transparencës, pas ndryshimeve të para pak muajve që krijonin barriera ndaj SPAK-ut për një numër zyrtarësh të lartë.

Projekti shihet gjerësisht si një përpjekje për t’u mbrojtur nga llogaridhënia, e cila kamuflohet me përafrimin e legjislacionit me BE-në.

Kjo ndjek të njëjtën linjë me frymën e qeverisë për të forcuar imunitetin pas rastit “Balluku”, e cila qarkulloi një listë me funksione të larta që nuk prekeshin nga arrestimet, ndalimet apo pezullimi nga detyra.

Në këtë kontekst, ngritja e Gjykatës Kushtetuese si “filtër” për veprimet e prokurorisë jo vetëm që injoron historikun e skandaleve në institucion, por ngre edhe pikëpyetje thelbësore të procedurës penale për vetë juristët.