1 Shtator 2026

Situata e zjarrit në fshatin Lundër paraqitet mjaft e agravuar gjatë orëve të fundit. Vatra e zjarrit ka dalë tërësisht jashtë kontrollit dhe po përhapet me shpejtësi në terrenin malor, duke kërcënuar seriozisht banesat, stallat e bagëtive dhe sipërfaqet e mëdha pyjore të zonës.

Pavarësisht angazhimit maksimal të strukturave të emergjencave civile në terren dhe punës së pandërprerë për izolimin e vatrës, ndërhyrjet nga toka nuk po japin efektin e pritur. Përmasat e mëdha të zjarrit, tymi i dendur, terreni i thyer malor dhe kushtet e favorshme për përhapjen e flakëve po vështirësojnë së tepërmi punën e zjarrfikësve.

Ekipet e emergjencës po bëjnë maksimumin e mundshëm në terren për të krijuar një perimetër mbrojtës pranë zonave të banuara, ku rreziku për shtëpitë dhe objektet bujqësore mbetet ende mjaft i lartë.

Për shkak të përmasave të zjarrit, flakët kanë depërtuar deri në vargmalin e Skënderbeut. Policia e Shtetit ka zbarkuar në këtë pjesë të terrenit dhe po monitoron nga afër ecurinë e situatës për të shmangur rreziqet për qytetarët.

Në ndihmë të forcave tokësore ka mbërritur me urgjencë edhe helikopteri i emergjencave civile, i cili ka nisur menjëherë ndërhyrjen nga ajri me hedhjen e ujit mbi vatrat më të izoluara e të vështira të malit, me shpresën për të vënë nën kontroll vatrën e zjarrit.