Charteri personal i Edi Ramës çoi në gropë të zezë “Air Albanian” e Sinan Idrizit, EuroControl padit kompaninë për borxhet e pashlyera

1 Shtator 2026
Kompania “Air Albania” e Sinan Idrizit është zhytur në një gropë të thellë financiare, duke lënë pas një mal me borxhe të pashlyera ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Viktima më e fundit e kësaj shembjeje financiare është Eurocontrol, Organizata Europiane për Sigurinë e Navigimit Ajror.
Kjo e fundit ka dorëzuar zyrtarisht një padi në gjykatën shqiptare për të detyruar mbledhjen e detyrimeve të papaguara. Çështja mban objektin “përmbushje detyrimi” dhe do të shqyrtohet nga gjyqtari Flamur Kapllani në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Seanca e parë gjyqësore është caktuar të mbahet më 20 tetor.

Detyrimet financiare që kompania ka ndaj Eurocontrol mbeten ende të paimagjinueshme në shifra të sakta, por përbejnë një goditje të rëndë për imazhin e saj. Projekti i lançuar me bujë të madhe nga kryeministri Edi Rama mori jetë në maj të vitit 2018. Në strukturën e saj fillestare të pronësisë, Turkish Airlines zotëronte 49 për qind të aksioneve, ndërsa kompania MDN Investment e Sinan Idrizit mbante 41 për qind.
Qeveria shqiptare kishte pjesën tjetër të aksioneve prej vetëm 10 për qind. E paraqitur si krenaria e re e qiellit shqiptar, kompania dështoi shpejt të ruante stabilitetin e saj ekonomik. Përdorimi i vazhdueshëm i avionit “Ismail” si charter personal për udhëtimet e kryeministrit ndihmoi në thellimin e kësaj krize. Humbjet e akumuluara dhe abuzimet e dyshuara financiare e çuan shpejt kompaninë drejt një kolapsi të pashmangshëm.
Gjyqet e shumta të hapura nga kreditorët tregojnë një përpjekje të dëshpëruar për të rekuperuar çfarëdo që ka mbetur nga asetet e saj. Në këtë sipërmarrje të dështuar tashmë ka mbetur pothuajse vetëm biznesmeni Sinan Idrizi. Përveç tij, në këtë histori mbeten vetëm hijet e udhëtimeve luksoze qeveritare dhe një borxh i pafundëm, raporton “Kapitali.al”.
Sfidat ligjore me të cilat po përballet kompania janë vetëm maja e ajsbergut të një menaxhimi të dështuar. Pavarësisht përmasave të këtij skandali financiar, deri më tani nuk ka asnjë hetim zyrtar nga organet e drejtësisë. Zbulimi i plotë i abuzimeve mbetet një pikëpyetje e madhe për opinionin publik. Ndërkohë, fatura e kësaj aventure ajrore vazhdon të rritet në dyert e gjykatave.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë se kompania ajrore Air Albania ka mbyllur zyrtarisht kapitullin e saj të operimit, duke shënuar fundin e një projekti që nisi me pretendime të mëdha në vitin 2018. E krijuar si një partneritet publik-privat mes shtetit shqiptar (përmes Albcontrol), Turkish Airlines dhe kompanisë private MDN Investment, ajo kishte si objektiv ofrimin e fluturimeve me çmime të arritshme dhe përmirësimin e lidhjeve të vendit me Europën.
Me bazë në Aeroportin e Rinasit, flota e saj prej avionësh Airbus u identifikua shpejt nga emrat simbolikë si “Migjeni”, “Lasgushi” apo “Naimi”. Megjithatë, përpjekjet për t’u zgjeruar në tregun europian u përballën me trysni të madhe nga kompanitë low-cost si Wizz Air dhe Ryanair, të cilat i morën pjesën më të madhe të pasagjerëve. Kompania u përfshi nga vonesa të shumta, anulime fluturimesh dhe probleme të thella strukturore që çuan në borxhe prej dhjetëra miliona eurosh ndaj aeroporteve, furnizuesve të karburantit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Goditjen përfundimtare e dha tërheqja e Turkish Airlines, e cila shiti 49% të aksioneve të saj në nëntor 2025. Menjëherë pas kësaj, në dhjetor 2025, Autoriteti i Aviacionit Civil ia pezulloi licencën e operimit për shkak të pamundësisë financiare dhe mospërmbushjes së rregulloreve. Sot, Air Albania ndodhet në proces likuidimi e falimentimit ndërsa përballët me vendime sekuestroje, duke lënë tregun e fluturimeve në Shqipëri tërësisht në duart e operatorëve të huaj.
