1 Shtator 2026

Mbi 45 ikona të përzgjedhura nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar të Korçës vijojnë të prezantojnë në Francë vlerat e trashëgimisë dhe artit shqiptar. Ekspozita “Ikonat e Shqipërisë- Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçë” mbetet e hapur për publikun në Chambéry, duke sjellë në vëmendje vepra të rëndësishme të artit mesjetar shqiptar.

Blendi Gonxhja ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit shprehet se ekspozita është një ftesë për publikun ndërkombëtar për të zbuluar Shqipërinë përmes kulturës, artit dhe trashëgimisë së saj të jashtëzakonshme, duke promovuar njëkohësisht Korçën si një destinacion të rëndësishëm të turizmit kulturor.

“Mbi 45 ikona të përzgjedhura, mes tyre vepra të Onufrit, vëllezërve Zografi dhe Mësues Kostandinit, sjellin në Francë një pjesë të identitetit tonë dhe krijojnë një urë të re drejt Shqipërisë turistike, një vend që ofron histori, kulturë, traditë dhe përvoja autentike në çdo stinë”, shprehet Gonxhja në një reagim të tij në rrjete sociale.

Ekspozita, që do të qëndrojë e hapur deri më 13 nëntor, përbën një ngjarje të rëndësishme kulturore dhe një hap domethënës në promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë shqiptare. Ekspozita realizohet në kuadër të bashkëpunimit mes qyteteve Korçë dhe Chambéry, me mbështetjen e institucioneve partnere, Ambasadës së Francës në Shqipëri dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Në kuadër të ekspozitës “Ikonat e Shqipërisë -Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar”, e cila është rezultati i një bashkëpunimi ndërinstitucional, dhe që qëndron e hapur në Musée des Beaux-Arts, në Chambéry, Francë, u publikua dhe katalogu, i cili u përgatit nga studiues francezë dhe shqiptarë.