Piktorët mblidhen në Pogradec, artistë nga vende të ndryshme të botës, pjesë e Kolonisë Ndërkombëtare

1 Shtator 2026
Pogradeci ka mbledhur edhe këtë vit artistë nga vende të ndryshme të botës në edicionin e 17-të të Kolonisë Ndërkombëtare të Artit. Rreth 20 piktorë nga mbi 10 shtete kanë sjellë në telajo peizazhin e liqenit, natyrën dhe elementë të kulturës së Pogradecit, duke e kthyer aktivitetin edhe në një hapësirë shkëmbimi kulturor.
Organizatori i kolonisë, Saimir Ahmeti, u shpreh: “Jemi në edicionin e 17. Ky është një aktivitet që ka nisur që në vitin 2010 dhe është një aktivitet në fushën e artit viziv që ka treguar jetëgjatësi për shumë arsye. Unë do të përmendja Pogradecin. Ai është një muzë për artistët, një muzë për krijuesit, dhe një qytet i hapur që merr kulturë, por edhe jep kulturë.”
Përtej krijimtarisë, kolonia synon të nxisë shkëmbimin kulturor dhe profesional mes artistëve, duke krijuar kontakte dhe ura bashkëpunimi mes vendeve të ndryshme.
Piktorja Anna Kostenko tha: “Kam njohur artistë të jashtëzakonshëm, kemi shkëmbyer frymëzim dhe kemi mësuar shumë nga njëri-tjetri. Më pëlqen shumë Shqipëria dhe mendoj se do të rikthehem sërish.”
“Për një artist është shumë e rëndësishme të takohet herë pas here me kolegë nga e gjithë bota, pasi shkëmbimi i përvojave na ndihmon ta shohim artin tonë ndryshe dhe të zhvillohemi.” Tha piktorja, Katerina Romanova.
Ndwrsa piktorja Dhurata Begolli theksoi se “Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë edhe pse kemi qenë në vende të ndryshme, mirëpo kemi pasur një larmani shumë të mirë të punëve dhe të bisedave.”
Piktori Alejandro Cortés tha: “Është shumë befasuese për mua të shoh kaq shumë natyrë, talent dhe bukuri të përmbledhura në një vend të vetëm. Jam shumë i nderuar që jam këtu.”
Kolonia është përmbyllur me ekspozimin e punimeve të realizuara gjatë qëndrimit të artistëve në Pogradec.
