Nga: Kastriot Marku. –

“Kuvendi i Shna Prendes në Kurbî ishte nji manastir benediktinësh shumë i vjetër prej kur s’mbahej mend, mà se nji mij vjetsh. Ai qe ndreqë e vendue bukur mirë në atë vetull mali në mjedis të Arbnisë, larg nga katundi i Kurbinit, në mjedis të parzmit të shpatit të malit në nji pozicion mjaft të bukur e plot pashî në majë të asaj kodre rrafshatake. Prej Tivarit e deri në Durrc ishin kund nja 10-12 kuvende si: Shën Segji e Shën Baku, Shën Mrisë së Rrotacit, i Shelbuemit në Rubik, Sh’Llezhdrit, Sh’Palit e Shën Gjinit në Dukagjin e Sh’Mrisë e Sh’Mhillit e Shën Gjergjit n’Kurbì, e do tjerë që nuk po më bien ndërmend tash. Pak para do vjetësh pat ardhë prej Tivari me i ngushllue e marrë n’grykë vetë Guliem Adae.

Kuvendi ishtë ndreqë aty larg prej udhës së ecejakevet të gjindes, në atë kodër të deshun prej pyllës e që ishte e mbrojtun nga përrojnat e brrakat e ujit qi i vareshin në dy krahët. Ishte nji ndërtesë e madhe pa ndonji arkitekturë shumë të pashme, por që dukej se ishte pune mirë e zgjanue mà shumë tash së voni prej Fretënve të Vogjel kur ata patën themelue seminarin. Manastiri kishte 8 oda bukur të mdhoja të ndame në dy pode, të lidhuna ndërmjet vedit me shkallë guri e me parmakë prej druni anash.

Dhomat e podit të poshtëm përdhes, ishin shtrue me rrasa guri e ato të podit të epërm me dërrasa prej dru zbute. Në podin e poshtëm ishte oda e ngranies, oda e punëve me dru dhe nji odë për lutjet e përbashkëta të murgtarëve në kohë të caktueme së paku tri herë në ditëe e poshtë tyne thuejse krejt për nan tokë, ishte nji quer a si i e quenin murgtarët, kantinë. Për me shkue ke kjori, duhej të uleshe teposhtë nepër do shkallë guri e të hyjshe në kantinën e naltë gati nji bojë burri, ku ruheshin përreth vjetit vena, voji i ullinit e kokrrat e pemëve të vjeluan për ruejtje në dimën (arra, kështejët e bulmeti (djathi).

Në podin e epërm ishte oda e pritjes për mijt (miqtë), nji odë për punë shkrimore me libra të shêjtë, fugure, pergamena, bojna e lëkurë të regjun e përtej asaj ishin dy oda ku pushojshin shtatin murgtarët natën si dhe nji odë tjetër e ndqame me çakla qi përdorej si shkollë për djelmqë dojshim me u ba murgtarë. Dy podet e manastirit kishin dritosore të vogla sa me hì i shêj drite ditën e lume. Jashtë paksa m’anësh manastirit ishin kashtarët e drithit thur me gardh e mbulue me mbulojë me trenë e tjegulla. Kisha fillestare kishte qanë jo shumë e madhe e ndërtuar me gurë të zi të punum mirë simbas stilit romanik me nji navatë të vetme, në të cilen shndritnin pikturat e punume në afreske të shenjta romanike-bizantine, ngjyrosun si s’ka mâ mirë me të cilët ajo âsht e stolisun e zbukuruem.

Ushtritë bizantine, anzhuine dhe serbe kishin plaçkitë e shkatërrue shumë gjana e pak gjana kishin pshtue, kudo e murgtarët e këtushëm kishin jetue shumë kohë gati sot për nesër me krye në strajcë. Mâ vonë ajo u zbadhue tue u ba me tri navata tu iu shtue edhe nji portik gurit në tanë gjanësinë e ballit të kishës. Në të majtë të saj thuajse ngjitun âsht kumbanorja e brejtun prej moteve e stilit romanik, hijeshue me dekorimin me gurë shtyfi të latuem me forma të punume hijshëm. Mbas absidës drejtkandëshe në kodrën përballë, gjallnonin hijerandshëm lisa të mëdhaj, njâni prej të cilëve i kishtë shtri degat e tij gjânë e gjatë tu i bâ hije edhe kishës si dhe gjollët ku u êpej kripa gjâsë së gjallë. Djathtas në anën veriore ishte pusi qi mblidhte damarët mâ të kjartë të ujit prej barkut të malit në currila të cemtë me ta këputë dorën prej të ftoftit.

Kisha kishte nji shesh të gjânë përpara rrethue e mbjellun me hijeshi me pemë të lloj-llojshme si mollë, kumbulla, arrra, mâna, thâna, gështenjë e ullinj. Nji mân i zi rrojc e i motnuem kishte mbetë n’kâmë dishmitar fisnik i asaj kohe thuejse në jugperëndim të oborrit. Mâ përtej ke Arat e Bulqve per nân gurrë ishte vneshti i rrushit qi përdorej për venën e meshës e për me përcjellë haen si dhe kopshti e perimeve. Qetësinë e vènit e prishnin vetëm zogjt e malit që silleshin lumnueshëm nëpër pemë kur lodrojshin njani-tjerin tue u prrallë e bâ hoka shpengueshëm e tue lujetë vrik e vrik degë ndër degë. Ata e nisnin dhe e mbyllnin ditën me kângë deri kur moti kthente për dimën, tue ua lânë vendin fllânxave, grifshave, mllenjave. Vllaznia e murgtarëve, dikund dhetë-dymbedhetë vetë, pjesa ma e madhe arbën, qendrojshin të mshelun në atë rrafsh vêni të vetmuem në bindje të eprorëve të tyne, të cillët ripertrijshin kështu për çdo ditë të lume fuqinë shpirtore të fesë në përkim me punën dhe detyrët e secillit simbas kushtesës së jetës së tyne LUTU E PUNO.

Në oden e punës ata punojshin gjithënduersh vegla druni si furka, boshta, kallme, sofra, lëpiza, lugë, kupa, djepa, arka, shtretën, shkamij, stola, me thadrime gjeometrike, lule e kafshë e fluturakë, trupore shejtnish e fugure të ndryshme, mandej bisha veglash, parmenda, zgjedha, kularë, samarë për kafshe ngarkese, rrathë kumone, kosha, koshare, kaçile, bulira uji, shega, shtâma, mtêj, fuçia për vêne, tinarë e vegla muzikore si fyej, lahuta, bilbila, pipëza etj. Kishte nji kand ajo odë ku kryheshin piktura me bojë në dru, pëlhurë. Oda ku kopjoheshin librat kishte do dritsore ma shumë se të tjerat të ngushta e të gjata picagjate. Në te gjindej nji bibliotekë blej të vjetër në latinisht, traktate e syzime të Etënve të Kishës, fort të rrallë, regjistra e kronika. Nji ndër punët e përditshme që e banin simbas rendit dy murgtarë, që kishin shkrimin ma të bukur, ishte me kopjue librat e vjetër, mënyra e vetme me i shumfishue ata asokohe. Pak mâ pertej manastirit, sa me hjedhë gurin, murgtarët kishin ndreqë edhe nji stan të ndam në tri pjesë ku kishin gjedhët, 6-7 lopë, dy pendë qe, dhe mzetën; dhentë kishin nja 30-40 krenë dhenë dhe po aq dhi si dhe 2 kual shale. Kigjat e dhiztë/edhat po ashtu ruheshin sikurse edhe ftujat, shterret e mâzat. Në një kând të stânit kishin nji shtrrak me do pula që shpesh baheshin proje e skileve që vinin buzë mramje e në të zbadhun të ditës e msyjshin aty beftas.

Ma poshtë ishin vorret, të tana me rrasa gurit të shkrueme latinisht te kryet e tyne. Ndër vorre pleqnojnë qarra të vjetër, ku gjingallat nuk prajnë tu britë tanë zhegun. Kullosa e malit ishte aq e shnetshme për gjanë e gjallë sa nuk kallzohet me fjalë. Gjânë e gjallë, murgtarët e kishin vendue përgjysë me do rrogtarë venas.

Ujqit binin shpesh ndër dhên e dhi e merrnin hisen e tyne, âni pse barîjt mbanin qen të mirë, por gojëlidhuni nuk pvetetë fort për brimat e qenve e të barîjve. Drithnin e bluenin në mokën e dritën e bânin me pishë. Veni rrokull kishte boll barishte të mira qi i përdorshin me ernue mishin si dhe plot barishte të erandshme që i mblidheshin e thaheshin e mandej disa sosh edhe ziheshin për me ua kullue mbrapa langun për pije me largue të keqen e trupit kur e shifshin veten te ligë. Dimni aty ishte i gjatë e mâ fort ua binte ngushte era e fortë si shakulluer. Kështu në mjedis të kësaj qetësie gjallnonte jeta e dijetarëve e puntorëve të dlirtë që nuk pritojshin me e gëzue jetën në vorfnì përlpot me gëzime e paqe në shpirt, pajtue me mende e korp me natyrë në atë truell përvujtnie e shejtnie.” Qershor 1999.
Sprovë shkrimore letrare e shtypur në makinë shkrimi, menjëherë mbas vizitës së parë qëllimore studimore drejtpërdrejt në terren. Qershor, 1999. Nuk kam bërë asnjë përmirësim gjuhësor, thjesht e kam hedhur në programin Word. (K.M)
Kisha e Shna Prendes ne Kurbin. (Foto nga Theodor Ippen).