Kurti: Ballkani Perëndimor i rrezikuar nga Putin. – Në Kosovë 10 organizata ekstremiste serbe

24 Mars 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se Ballkani Perëndimor, Gjeorgjia dhe Ukraina, janë tri zona të cilat rrezikohen nga Putini.

Sipas tij presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të vazhdojë sulmin e tij në rrugën pa fund në të cilën ka hyrë.

Në Kosovë nuk ka faktorë pro-rus por e kemi fqinjin verior që e kryen këtë punë e po ashtu edhe në Bosnjë e Hercegovinë është Republika Srpska”.

Ndërkaq Kurti foli për 10 organizata ekstremiste serbe aktive në Kosovë, të cilat propagandojnë urrejtje nacionale dhe fetare.

Vulin: Sot u bë hapi i parë përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë

Në një intervistë për “Desku” të KTV-së, ai theksoi se këto organizata e kanë njërën këmbë në Beograd e tjetrën në Moskë.

“Informatat thonë që janë 10 organizata ekstremiste serbe në Kosovë të cilët janë të ekstremit të djathtë dhe të cilët propagandojnë urrejtje jo vetëm nacionale por edhe fetare dhe që kanë frymë mesjetare të ortodoksisë mistike, dhe që e kanë një këmbë në Beograd dhe një në Moskë. Janë organizata të cilat unë besoj që përveç se kanë lidhje me pushtetin në Beograd mund të kenë lidhje edhe me qendrën humanitare ruse në Nish”, tha Kurti teksa ka folur për mundësinë e destabilizimit të Kosovës nga Rusia.

Kurti shtoi se Kosova i ka shpeshtuar mbledhjet e Këshillit të Sigurisë këto ditë.

“Ne i kemi shpeshtuar mbledhjet e Këshillit të Sigurisë ku i bëjmë përgatitjet më të reja edhe sa i përket pajisjeve por gjithashtu edhe sa i përket vëzhgimeve e aktiviteteve. Një mbledhje të tillë do ta kemi edhe nesër. Ne në prapavijë të sferës politike e publike, intensivisht jemi duke u përgatitur që të mos ketë kurrfarë befasie dhe të gjitha institucionet dhe organet e shtetit të jenë të sinkronizuara”.

Sipas tij, pas pushtimi të Ukrainës, faktori ndërkombëtar dhe popujt e Ballkanit nuk do të lejojnë përsëritjen e Ukrainës në Ballkan.

Nga OraNews