Rezart Salla koleksionist nga fshati qe ka arritur të grumbullojë rreth 500 objekte të kohëve të ndryshme dhe  ka vendosur në ambjentet e shtëpisë së tij në fshatin Shalës të Elbasanit.

Ndërkohë që muzetë janë të paktë dhe po varfërohen me kohën, ato që po lulëzojnë së fundi janë muzetë privatë nga koleksionistët amatorë. Rezart Salla është ndoshta i pari koleksionist nga fshati. Ai ka arritur të grumbullojë rreth 500 objekte të kohëve të ndryshme duke i  ka vendosur në ambjentet e shtëpisë së tij në fshatin Shalës të Elbasanit.

Rezarti ka pasur shansin të jetë pranë një zone arkeologjike të periudhës romake që ndodhet në fushën e Shalsit shumë pranë shtëpisë së tij. Gjatë gërmimeve për ndërtimin e biznesit të tij, ai ka zbuluar shumë objekte të cilat nuk është se i ka studiuar por i ruan me fanatizëm dhe çdo ditë pasuron koleksionin e tij me objekte të tjera. Ka mbledhur gjithçka tradicionale që është përdorur në 100 vitet e shkuara në një familje normale si: vegla pune, enë guzhine, mjete të tjera shtëpiake e zbukurime. Pasi i ka pastruar e mirëmbajtur i ka mbyllur në disa dhoma me shpresën se një ditë do ti ekspozojë dhe do të hyjnë në punë për të njohur kulturën e një kohe të shkuar. Duke shëtitur në shumë vende, koleksionisti ka mbledhur shishe, gjëra antike si dhe monedha, por pjesa më e rëndësishme e koleksionit të tij janë ato shqiptare.

Nuk e di çfarë vlere kanë ato që ka grumbulluar dhe nuk i intereson të bëjë biznes. Po kështu fakti që shumë pjesë janë antike dhe të vjetra, nuk e shqetëson pasi shprehet se i ka gjetur në tokën e tij dhe i ka ruajtur me kujdes duke krijuar këtë minimuze etnografik të kombinuar me shumë gjëra të tjera. Tashmë ka filluar kureshtja për banorët e zonës të cilët ndërsa i pyet të tregojnë se çfarë ka grumbulluar Rezarti. Megjithëse pak e kuptojnë pasionin e tij, koleksionisti ka si qëllim ekspozimin sidomos për fëmijët e zonës, që sipas tij duhet të mësojnë më shumë për të shkuarën.

Rezarta Salla.

Rezart si e keni nisur grumbullimin e vjetërsirave?

Qysh i vogël kam ruajtur gjëra të vjetra të gjyshes dhe të gjyshit që të tjerët edhe i hidhnin. Është një pasion që ka lindur herët me mendimin që të gjithë do të kthejmë kokën mbrapa nga kemi ardhur. Më pëlqen t’i ruaj këto gjëra pasi mendoj se do ti duhen fëmijëve tanë të njohin kulturën dhe artin që kemi pasur.  Kam dëshirë që populli që më rrethon të vijë të shohë këto gjëra dhe brezat në vazhdim të mësojnë më shumë. Po kështu duhet të njohin mjetet që është punuar më parë, si është gatuar dhe si ka avancuar teknologjia. Shumë gjëra janë antike që kanë dalë pasi kam gërmuar në tokën time për ndërtimin e biznesit.

Ja dini vlerën objekteve më të vjetra?

Unë thjesht i kam mbledhur dhe ruajtur pasi mendoj se çdo gjë e ka një vlerë. Janë ata që duhet t’i shikojnë dhe ti japin vendin që meritojnë. Jam i idesë që më vonë të krijoj një muze ku të gjithë ti vijnë t’i shikojnë. Këtu bëhet fjalë sidomos për fëmijët që nuk e kuptojnë se me çfarë është punuar më parë. Them se do të kenë vlerë kur koha të kalojë.

Ju jeni munduar të mblidhni gjithçka që mendoni me vlerë. Si i seleksiononi?

Nuk është se kam një seleksionim shkencor. Çdo gjë që e mendoj të vjetër e mbledh. Kaq janë shumë pak pasi në një të ardhme do të shihni gjëra akoma më të bukura. Me ndihmën e miqve të shokëve kam arritur të mbledh shumë gjëra që janë të vështira për tu gjetur. Shumë nga këto që shihni ose janë blerë, ose falur apo gjetur gjatë gërmimeve këtu në Shalës.

Ç’mendojnë familjarët tuaj për këtë pasion?

Sigurisht që pa mbështetjen e tyre nuk do kisha arritur këtu. Kam pasur mbështetjen e familjes sime. Nuk dua të lavdërohem apo të them se çfarë kam bërë. Nuk është sekret. Këtu në fshat të gjithë e dinë.

Ju nuk keni grumbulluar objekte vetëm brenda vendit por edhe jashtë…

Po ndër këto objekte që shihni mund të gjeni gjëra nga Greqia, Spanja, Franca, Belgjika, Italia, etj. Shumica janë nga miqtë e mi dhe një pjesë nga udhëtimet e mia. Kudo kam marrë diçka dhe janë këtu mes gjërave që kam mbledhur. Janë interesante për tu parë dhe jam i hapur të pres këdo që ka dëshirë të shohë gjëra të veçanta.

Do ta vazhdoni grumbullimin e objekteve të vjetra?

Këtë pasion e kam pasur qysh i vogël e do ta vazhdoj derisa të mundem. Nuk është e lehtë pasi shpesh kushton të kesh pasione të tilla por unë kam dëshirë të grumbulloj objekte të vjetra e do ta bëj dhe pse jo t’ia le fëmijëve që edhe ata të grumbullojnë. Pse jo të kemi një muze të fshatit ku brezat e rinj të shohin si kemi jetuar në kohë dhe të njohin traditat tona. Shumë shpejt do të shikoni një koleksion edhe më të madh se kaq.