Jeton prej 19-vitesh në Amerikë, shqiptari që hapi muze tradicional: Kam xhubletën 2000-vjeçare të Malësisë së Madhe (Album – FOTO)

JANAR 2021

Anton Junçaj është një emigrant shqiptar që prej 19-vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është i dashuruar me traditën e vendit të tij, e si pasojë ka krijuar një muze tradicional të cilin e pasuron me elemente të reja që i merr me vete pas çdo vizite që bën në Shqipëri.

Antoni ishte sot në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, ku zbuloi se koleksionon me dashuri në muzeun e tij çdo element të traditës, kostumet popullore, vegla muzikore apo edhe objekte të vjetra antike të traditës shqiptare.

I pyetur nëse ka vetëm vizitorë shqiptarë apo edhe të huaj që shkojnë për të parë muzeun e tij, Junçaj shprehet se “shkojnë si gjermanë ashtu edhe amerikanë që janë të interesuar për kulturat e të tjerëve”.

“Vijnë për të vizituar muzeun të huajt që nuk kanë mundësi që të vinë në Shqipëri. Por dihet që vijnë më shumë shqiptarë”, tha ai.

Ndërkohë Antoni tregoi se në muzeun e tij ka xhubletën më të vjetër, 2000 vjet e Malësisë së Madhe.

Muze tradicional  shqiptar ne Amerike

“Çdo gjë që vjen në muze ka rëndësinë e vet. Kam xhubletën më të vjetër se 2000 vjet, e Malësisë së Madhe. Kam lahutat e vjetra që i kam marrë te kullat që nuk dihet sa herë janë djegë, por ajo ka mbetur pa u prek”, tha Junçaj.

Ky i fundit tregoi edhe dëshirën e tij të madhe. Ai u shpreh se ka dëshirë që të ketë të gjitha veshjet kombëtare të të gjitha trevave.

Ndërsa i pyetur nëse fëmijët e tij janë të interesuar rreth këtij muzeu, ai tha se “5 vajzat e tij kanë qenë shtysa që ka bërë këtë hap”.

Muze tradicional  shqiptar ne Amerike

“Kam 5 vajza, ku vetëm njëra ka lindur në Malësi e të tjerat këtu në Amerikë. Të gjitha vajzat janë valltare në shoqërinë që kam krijuar, e kanë qenë frymëzim që të hap muzeun. U pëlqen xhubleta e veshjet popullore. Të voglës kam dëshirë t’i sjell veshjet mirditore se i pëlqejnë”, tha Anton Junçaj.

Muze tradicional  shqiptar ne Amerike

Muze tradicional  shqiptar ne Amerike

Muze tradicional  shqiptar ne Amerike

Muze tradicional shqiptar ne Amerike

Gazeta Shqip