I riu nga Kukësi në protestë: – Aeroporti është kthyer në park fotovoltaik, asnjë avion nuk ulet

12 Korrik 2026
Një i ri nga zona e Lumës, në qarkun e Kukësit, mori fjalën gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku ngriti shqetësime për zhvillimin e zonës, infrastrukturën dhe funksionimin e Aeroportit të Kukësit.
Në fjalën e tij, ai bëri edhe një referencë historike për poetin Havzi Nela, duke kritikuar qeverisjen aktuale.
“Vij nga krahina e Lumës, që sot e quajtën Kukës. I dhanë një emër tjetër sepse krahina e Lumës ka lindur burra trima. Etërit e këtyre që jetojnë në atë krahinë përdorën litarin për poetin Havzi Nela! A meritojnë këta të jenë në pushtet e të na tregojnë litarin! Poshtë komunizmi dhe këta që nuk kanë ndryshuar asgjë nga ajo kohë!”, u shpreh ai.
Më tej, i riu foli për mungesën e investimeve në zonën e tij dhe situatën e Aeroportit të Kukësit.
“1 kilometër rrugë është premtuar në zonën time për 35 vite, nuk është bërë kurrë. Turp! Vetëm pesë minuta nga shtëpia ku jetojnë prindërit e mi me mua, sepse nuk i kam braktisur, është Aeroporti i Kukësit, që i vendosën emrin ‘Flatrat e Veriut’. Është vjedhur dhe sot është kthyer në park fotovoltaik. Asnjë avion nuk ulet në Kukës!”, deklaroi ai.
