Humbja në 6 bashki, nis krisja brenda PD-së së Bashës, sinjalet e para nga Gjekmarkaj dhe Vokshi

7 MARS 2022

Humbja e rëndë në zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë e Shqipërisë ka dhënë menjëherë efektet dhe ku paralajmërohet një krisje e re brenda Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha. Sot, pavarësisht kësa disfate, Basha nuk e pranoi humbjen, duke u shprehur se pati bojktot të zgjedhjeve vendore elektorati, duke nxjerrë edhe justifikimet.

“Fakte janë këto: 30% e shqiptarëve kanë marrë pjesë në votime, administrate shtetërore është detyruar të marrë pjesë, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal dhe nëse dëshironi ti bëni analizën fakteve këto janë faktet. Bandat janë përfshirë po kështu, ndërkohë të paktën një rast të Partisë Demokratike në bashkëpunim me dy polet e tjera i janë mohuar komisionarët siç ishte rasti i Vorës, pot ë gjitha këto zbehen para mesazhit që jep braktisja e procesit të 6 Marsit, pse? Sepse shqiptarët e kanë kuptuar që asgjë nuk ka ndryshuar në të mirë pas 25 Prillit dhe pjesë e përgjegjësisë për këtë sigurisht është edhe lufta, edhe sulmet, edhe denigrimi që i është bërë Partisë Demokratike megjithatë unë jam i vendosur dhe e di që këtë duan jo vetëm demokratët dhe mbështetësit tanë por dhe gjithë shqiptarët që Partia Demokratike ta kthejë këtë situatë”, kjo ishte deklarata apo alibia e Bashës përballë kësaj humbjeje.

Por Basha habiti me qëndrimin e tij ku deklaroi se nuk ka humbur asnjë betejë personalisht, pasi ka pasur maskër zgjedhore.

Përballë këtij qëndrimi Bashës ka ardhur reagimi i parë i nënkryetarit të PD-së, Agron Gjekmarkaj, të njeriut të promovuar së fundmi edhe nga vetë kryedemokrati. Përmes një postimi në Facebook, Gjekmarkaj shkruan se çdo justifikim është i papranueshëm. PD sipas tij duhet të mbledhë me urgjencë organet dhe të nxjerre përgjegjësitë që çuan në këtë katastrofë elektorale.

“Në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi. Përtej çdo rrethane kunder nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askënd pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshem!

PD duhet të mbledhe sonte me urgjencë organet e saj dhe të nxjerre përgjegjësitë që çuan në këtë katastrofë elektorale. Unë, prej dy muajsh jam njëri prej katër Nënkryetarve të PD-së dhe jam i gatshëm të mbaj pergjegjësinë time. Nuk do t’i shmangem asaj per asnjë arsye apo interes që bie në kundershtim me vullnetin e shoqerisë dhe parimet e mia etike”, shkruan Gjekmarkaj në Facebook.

Pra ai e pranon se kjo humbje, PD-ja doli e treta në 5 bashki dhe e dyta në një bashki ishte skenari më orguzi. Edhe anëtari i Këshillit Kombëtar, Indrit Vokshi bëri të ditur se jep dorëheqjen nga ky forum i PD-së.

“Partia Demokratike nuk mori as shumicën e votës së saj tradicionale. U morën aq vota sa mundën të marrin kandidatët. Shumica e elektoratit të djathtë dhe gri, bojkotoi zgjedhjet, pati pjesëmarrje 30% dhe kjo tregon se njerëzit nuk denjuan as të dalin të shkojnë deri tek kutia “për ne”. Në këshill kemi bërë marrëzira, jemi bërë noterë dhe dorëngritës të planeve Berisha-Basha-Meta për rrëzim me djegie

mandatesh e bojkot të bashkive, kemi marrë pjesë në katastrofë. Kemi pasur bazament sepse militantizmi ku ne mbështeteshim, ka qenë pro këtyre veprimeve. Pra ia kanë bërë vetes, përmes nesh”, shkruan ai ndër të tjera.

Këto janë sinjalet e para që tregojnë se Bashën e pret një përplasje e fortë në PD dhe me njerëzit e tij në kryesi dhe në grupin parlamentar të PD-së. Qëndrimi i Gjekmarkajt është i fortë dhe madje mund të paralajmërojë edhe një dorëheqje të tij, pasi ai e sinjalizon nëpërmjet rreshtave në statusin e tij ku shprehet se nuk i shmanget asnjë përgjegjësie. Basha ka thirrur mbledhjen e grupit të PD-së për të mbajtur edhe një qëndrim sa i përket seancës parlamentare e sigurisht për çështjen e humbjes së zgjedhjeve.

Kjo humbje të Bashës po shihet si armë e fortë e grupimit të Berishës që pas fitores së bashkisë së Shkodrës, bastrionit të së djathtës, ku me anë të një deklarate i ka bërë thirrje deputetëve të PD-së ti bashkohen lëvizjes së tyre.

“Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike deklaron se vota e qartë e 6 Marsit tregoi se demokratët nuk duan t’i shkojnë pas në greminë, një kllouni që pas 6 humbjesh deklaron se nuk ka humbur kurrë dhe që provon se nuk do të arrijë të kalojë dot as pragun elektoral. Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, opozita e vetme dhe e vërtetë, i bën thirrje të gjithë anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve, deputetëve që janë në Partinë Demokratike për shkak të idealeve dhe jo të interesave, t’i bashkohen vullnetit të popullit opozitar për një Parti Demokratike të Rithemeluar më të hapur, më të fortë dhe më të bashkuar”, thuhet në deklaratën për media.

Gazeta Shqip