Luljeta Dano Foto e vitit 2003

Nga: Artur BAKU

Casa – Casino për nga arkitektura letrare do e klasifikoja si roman postmodern, si në formë dhe në përmbajtje. Historitë e fragmentuara, thyejnë monotoninë e rrëfimit dhe na zbulojnë pjesë pas pjese mozaikun e jetëve të dy personazheve kryesorë, Barbara dhe Elisè.

Hapësira gjeografike në të cilën zhvendosen personazhet është një kozmos kulturor që rrok mikromakrokulturat ishullore greke, Greqinë kontinentale, dhe jo vetëm.

Kapërcimi i kufijve përtej Greqisë, për një moment rrëfimi na çon në Paris, një moment tjetër në Australi, diku në një histori fronti lufte në Malin e “Gramozit”. Gjithë kjo gjeografi pasuron kozmosin artistik duke i dhënë një karakter “ekumenik kulturor” dhe ngjyrë të hapur rrëfimit, ndryshe nga romanet klaustrofobike ku të gjithë personazhet vërtiten në një vend të mbyllur.

Kjo është zeje me vete, pasi autorja ka ditur të ndërthurë natyrshëm shtresëzimet dhe origjinat multikulturore në funksion të asaj që tregon në roman. Duke na rrëfyer jetën e dy personazheve dhe të paraardhësve, paralel me historitë e tyre, libri na rrëfen edhe një pjesë të historisë të Greqisë moderne: Kohën e mbretërisë, juntën ushtarake, Regjimin e Kolonelëve, lëvizjet studentore të 17 nëntorit, raporti identitar me ortodhoksinë i popullit grek, etj. Mbi të gjitha, historia e dashurisë mes Barbarës dhe Eliseut është boshti ku orbitojnë të gjitha historitë e tjera. Gravitacioni i dashurisê është forca që mban të lidhur fatet njerëzore në Casa – Casino, që simbolizon vetë Greqinë.

Pasi lexon romanin, në fund e kupton se Casa – Casino është vetë Greqia me kaosin, luftën, plutokracinë, atdheu i lindjes së demokracisë, sa dhe i diktaturave, veçanërisht atyre që përmenden në roman gjatë shek. XX, dashuria si: “zambak që çel edhe mbi asfalt”, ishullimi i vetmisë njerëzore, besimi, si dimension jete.

Romani Caso – Casino i Luljeta Danos

Rrëfimi në formë kaskade që fillon duke treguar për paraardhësit e të dy personazheve kryesore, Barbarës dhe Eliseut ndërthuret në avlëmendin e Casa – Casino, si pëlhura e Penelopës, është kuptimi i vetë jetës që nuk shteron kurrë së befasuari, që përsërit vetveten për një histori të re dhe siç tregon autorja në mbyllje të librit: “Mbindjeshmëria emocionale e qenve, ky rrugëtim i saj jete me Eliseun, rebel në mënyrën e tij, djali i vetëm që u nda për së gjalli nga babai, kryegjenerali Dhertilis, Strategu i Mbretërisë së Greqisë, me tre yje në sup që printe krejt flotën ushtarake ajrore e detare, si dhe këmbësorinë e ushtrisë greke, i dyti pas Mbretit për nga fuqia, që urdhëroi hedhjen e gjysmë milion ton eksploziv e predha me napalm në malin e Gramozit gjatë luftës civile, i thonë Barbarës se puna e pamarrëvesh e botës ku jetojmë, nuk është çështje racash, moshe, feje, speciesh, gjinie apo kastash shoqërore, por ështē çështje shpirtrash tē vjetër sa universi në trupa fizikē qē ndiejnë për sē thelli dhe mendohen për atë që ndiejnë”.