27 Janar 2026

Një grup qytetarësh kanë paralajmëruar ditën e nesërme një protestë para kryesisë së Kuvendit, ku do të mblidhet Këshilli i Mandateve dhe Rregullores për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, për të cilën SPAK kërkon autorizimin për arrestim.

Me sloganin “Dorëzoni imunitetin e hajdutëve”, qytetarët do të mblidhen në orën 10:00 për të kërkuar që Këshilli i Mandateve të marrë vendimin për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut.

Opozita nga ana e saj ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi se ka shkelur Rregulloren e Kuvendit me urdhër politik të Ramës dhe ka penguar drejtësinë.

Ndërkohë Gjykata Kushtetuese përfundoi të enjten shqyrtimin e çështjes për ligjshmërinë e pezullimit nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera” në disa procedura tenderimi me vlerë qindra-milionë euro.

Gjykata u vu në lëvizje nga një kërkesë e kryeministrit Edi Rama, i cili pretendoi se Gjykata e Posaçme, GJKKO, kishte ndërhyrë në kompetencat e tij kushtetuese me pezullimin nga funksionet ekzekutive të bashkëpunëtores së tij dhe se masa binte ndesh me imunitetin që Kushtetuta u jep deputetëve dhe ministrave.

Me të njëjtat argumente u paraqitën në seancës e së enjtes para trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese edhe përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës, që morën pjesë si palë të interesuara në proces.

Vendimin për pezullimin nga detyra të Ballukut e mbrojtën prokurorët e SPAK-ut, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, të cilët argumentuan se masa e pezullimit nga detyra nuk cënonte kompetencat e Kryeministrit, por ishte bërë në favor të interesit publik, pasi qëndrimi në detyrë i të pandehurës përbën rrezik për përsëritjen e krimit për të cilën akuzohet dhe helmim të provave në dëm të hetimit ndaj saj.

SPAK e konsideroi ankesën e Kryeministrit në Gjykatë Kushtetuese për të shfuqizuar një masë gjykate si ndërhyrje në punën e organeve ligjore të drejtësisë.