Dokumente Kadastrale Turke – Camet Autokton ne Tokat e yre.

 

DEFTERI TURK

Përkatësia etnike e shqiptarëve në Çamëri e gjen pasqyrimin e vet në Defterin e hollësishëm osman të sanxhakut të Delvinës, të vitit 991 (1583), ku janë regjistruar emrat e kryefamiljarëve të qendrave të banuara, qyteteve e fshatrave. Duke shfletuar fletët e këtij defteri vihet re se shumë kryefamiljarë mbajnë emra të krishterë të fushës onomastike shqiptare, si: Lekë, Gjin, Zhupë, Gjon, Nik, Dedë, Gjeta, ose emra të krishterë të trajtës së shqiptarizuar si Pavël, Vasil, Kol, Pal, Jorgo, Kosta, Andrea, Dhimo etj..(Burimi: F. Duka, Realiteti etnik i Dropullit, në “Studime historike “, Tiranë, 1991, nr.3-4). Nga ky defter po publikojmë për herë të parë antroponiminë e disa fshatrave të qytetit të Filatit dhe Paramithisë. Në fshatin e Keskës 100% të kryefamiljarëve mbajmë antroponiminë shqiptare. Fshati Koskë(në Filat), në vitin 1583, kishte 182 kryefamiljarë, fshati Guyrrëz 34 kryefamiljrë, fshati Imlahor (varej nga Parithimia-Ajdonati), në vitin 1583 kishte 42 kryefamiljarë, etj…

 

 

TOPONIME SHQIPTARE

Sipas këtyre regjistrimeve kadastrale të shek. XVI (Regjistrimi i Delvinës dhe Regjistrimi i Janinës i vitit 1583) del se shtrirja e vendbanimeve shqiptare ishte e dendur dhe me antroponimi të pastër shqiptare. Popullsia shqiptare në hapësirën e Çamërisë, krahas antroponimisë thjesht shqiptare, kishte krijuar dhe toponimi shqiptare dhe këtë e hasim në krahinën e Paramithisë, të Sulit, të Margëlliçit, të Gumenicës e të Pargës si në emërtimin e fshatrave ashtu dhe të vendeve si psh fshati Ledhës në Gumenicë, fshati Rrapëz e Zeri në Pargë, ose emrat e fshatrave: Gardhiq, Vreshta, Grikohor, Grika, Morfat, Spatharat, Sharat, Nëneshat, Lopës, Mazërrek, Kuç, Currile, Luarat, Ninat, Markat. Historiani grek, Jani Llambridis, kur shkruan për Sulin, shtrirjen dhe kufijtë e tij, përmend një varg toponimesh që janë thjeshtë shqiptare si fshati Vilë, Balla, Dora, Çifliku, Kukuli, Lugati, Birbili, Gorrica, Kodër, Qafaetj.(Burimi:(Jani Llambridis, Epirotika Meletimata, Athinë, 1904, f.7,8,9, 12 e në vazhdim). Gjuhëtarët kanë arritur në përfundimin se elementi fjalëformues ‘at’ lidhet me prapashtesën ‘ates’, e cila takohet në emra fisesh ilire si Labeates, Dokleates etj. Në disa fshatra të Çamërisë brez pas brezi në shekuj janë ruajtur toponime malesh, prenjsh, fushash, luginash e arash si toponime të pastra shqipe si p.sh. “Mali i Glatë” (në fshatin Dramës), “Lisi i Lorit”, “proi i Thellë”, “Palo Vreshtat”, “Gropa e Madhe”, “Bira e Vllahut”, “Nënshkëme”, “Hora”, “Guri i Bardhë”, “Bota e Bardhë”, “Burimet”, “Bregu i Angjelit”, “Klishëza”, “Mulliri i Fikut”, “Shegëza”, “Kodrëza e Vidhit” etj.

GENOCIDI FASHIST GREK

Nië vitet që pasuan, Qeveria Greke, nisi t’i intensifikojë veprimet e saj antishqiptare në fillim pushtimin e Çamërisë me forcaushtarake dhe më pas me përpjekje për spastrimin etnik të shqiptarëve myslimanë nga Çamëria. Ndërkohë Athina pas shpërnguljes me dhunë të çamëve nga bandat e Napolon Zervës dhe të forcave qeveritare greke për të shuar e zhdukur çdo gjurmë të etnisë shqiptare në Çamëri, ka ndryshuar toponiminë e fshatrave  duke i zëvendësuar ato me emra grek. Kështu p.sh. fshatin Gurrëz e kanë emërtuar me emrin “Palokastro e Sipërme”, fshatin Picar në “Aetos”, Koriqanin në “Ahllavia”, Skupicën në “Kestrin”, Lopsin në “Asproklisi”, Spatarin në “Trikofor”, Galbaqin në “Elia”, Dolanin në “Jeroplatanos”, Peshtanin në “Kriovrisi”, Smokovinën në “Sikohor”, Salicën në “Llaka”, fshatin Vreshta në “Andelia”, Kuçin në “Poliner”, Arvenicën në “Argjirotopos”, Nistën në “Foskamilia”, Arpicën në “Perdhika”, Volën në “Sivota”, Rrëzanjin në “Shën Ajia”, Rrapëzën në “Ajthusa”, Vrastovën në “Palokastro”, Kurtesin në “Mesovun”, Mininën në “Nerajdha”, Curilën në “Kalithea”, Ledhëzën në “Lladohor”, Varfanjin në “Parapotam”, Koshovicën në “Shën Maria”, Luaratin në “Katovother” etj. Sado që të përpiqet administrata greke për të zëvendësuar onomastikën e emrave të fshatrave në Çamëri, që është aq e lashtë sa vetë autoktonia e shqiptarëve në ato troje, çami në breza do ta gjejë pa vështirësi tokën, fshatin e të parëve të tij, pavarësisht nga emërtimet që ka. Regjistri i Janinës (1583) e shtrin zonën e përhapjes së vëndbanimeve shqiptare dhe popullsinë e tyre autentike shqiptare edhe në zonat periferike të Epirit. Kështu p.sh. nga Defteri i Janinës mësojmë se në nahijen e Prevezës, që përfshinte dhe Prevezën, Kravarin me fshatrat e saj, antroponimia e vendeve si Zallonga, Shapata, Likursi, Karula, Zermeni, Nikolic, Zerni, Flambur, Poliofor, është një antroponimi e pastër dhe pa asnjë mëdyshje shqiptare. Të dhënat që përmendëm provojnë se Çamëria daton nga Mesjeta dhe hyri në kohën e re si një trevë thellësisht shqiptare.