Hëna “fik” Diellin për pak minuta/ Eklipsi total sjell spektakël në qiell

Hëna “fik” Diellin për pak minuta
13 Gusht 2026
Qielli solli një nga fenomenet astronomike më të veçanta të viteve të fundit, me eklipsin total diellor që u pa në disa pjesë të Evropës dhe “preku” edhe Shqipërinë.
Fenomeni nisi të shihej nga Arktiku rus dhe vijoi në drejtim të Groenlandës, Islandës dhe Spanjës. Miliona njerëz në vende të ndryshme ndoqën momentin kur Hëna kaloi përpara Diellit dhe mbuloi diskun e tij.
Pamjen më të plotë e patën banorët e Islandës, Spanjës dhe një pjese të Portugalisë, përgjatë zonave ku eklipsi arriti fazën e totalitetit.
Në këtë fazë, Hëna mbuloi plotësisht Diellin, duke lënë të dukshme vetëm koronën diellore, pjesën më të jashtme të atmosferës së Diellit.
Totaliteti zgjati vetëm pak minuta, me kohëzgjatjen më të madhe në Islandë, ku arriti në 2 minuta e 10 sekonda.
Përveç spektaklit në qiell, eklipsi ka rëndësi edhe për kërkimin shkencor. Vëzhgimi i koronës ndihmon studiuesit të kuptojnë më mirë proceset që lidhen me aktivitetin diellor, përfshirë mekanizmat që mund të ndikojnë në aurorat polare dhe stuhitë gjeomagnetike.
Këto fenomene mund të ndikojnë në funksionimin e satelitëve dhe rrjeteve elektrike, duke e bërë studimin e aktivitetit të Diellit të rëndësishëm edhe për teknologjinë dhe infrastrukturën në Tokë.
