13 Gusht 2026

Reforma e Re Territoriale (Harta e re administrative) ka ndezur “zjarrin” e debateve dhe pakënaqësive brenda vetë radhëve të Partisë Socialiste, duke shkaktuar përplasje të ashpra mes bazës vendore dhe kupolës drejtuese. Ky propozim ka futur “zjarrin” në strukturat e majta, teksa rezistenca e kryebashkiakëve që preken nga shkrirja po përshkallëzohet në tensione të hapur.  Kryeministri Edi Rama i la pushimet në mes. Pakënaqësitë që ka prodhuar reforma territoriale e detyruan të mbledhë dje në Kuç të Vlorës për më shumë se katër orë kryetarët e bashkive që shkrihen nga kjo ndarje e re.

Por mbledhja siç mësoi gazeta “SOT” është zhvilluar me tone të ashpra dhe përplasje të forta mes Ramës dhe 4 kryetarëve të bashkive që parashikohet të shkrihen, Poliçani, Dimali, Selenica dhe Divjava. Gazeta “SOT” mëson se kryetari i Bashkisë së Poliçanit është larguar nga mbledhja pas debateve shumë të ashpra me kryeministrin, përplasje e cila ka shkuar deri në ofendime dhe tone shumë të larta.

Debatet

Gjatë diskutimeve Rama i ka thënë Adriatik Zotkajt: Ti nuk duhet të ishe fare këtu. Ajo që bëri Poliçani me djegien e kartave ishte një akt paturpësie. Ndërsa Zotkaj i cili edhe publikisht ka qenë kundër shkrirjes së bashkisë së Poliçanit, me argumentin se do të largohen shërbimet nga qytetarët i është përgjigjur se komuniteti i reagoi veprimit mosmirënjohës të PS-së dhe Kryeministrit.

“Në ka një mosmirënjohje është ajo e PS”, ka thënë Zotkaj. Një tjetër përplasje e ashpër ka qenë ajo me kryetaren e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj. Gazeta “SOT” mëson se Rama i është drejtuar me ironi: Ju udhëheqësit e mëdhenj! Ndërsa Mema i është përgjigjur: Ç’udhëheqës! Ne jemi bërë si punëtorë komunaleje.

(Duke folur këtu për mungesën e kompetencave të pushtetit vendor). Kjo fjali e ka irrituar kryeministrin Rama duke e nxjerrë Memën jashtë nga mbledhja. Megjithatë, Zotkaj dhe Mema nuk mund të kandidojnë më për kryetarë bashkie pasi kanë ezauruar mandatet e lejuara. Edhe kryetarët e bashkive të Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrea kanë debatuar me kryeministrin Rama dhe Arbjan Maznikun, duke i qëndruar argumenteve të tyre kundër shkrirjes së bashkive.

Kryeministri Rama nga ana e tij ka pretenduar që kryetarët e bashkive po nxisin komunitetet e atyre zonave kundër reformës territoriale. Ndërsa kryebashkiakët, pretendojnë edhe për standarde të dyfishta kur vjen puna tek përzgjedhja e bashkive që duhet të shkriheshin. Sipas tyre ka bashki si Peqini, Vau i Dejës apo Roskoveci të cilat janë me tregues më të ulët performace të cilat do të mbajnë statusin e bashkisë.

Mbledhja është përqendruar vetëm tek reforma territoriale, por ka pasur edhe bashki si Maliqi apo Këlcyra, të cilat nuk kanë shprehur kundërshti për mënyrën se si do të pozicionohen me hartën e re territoriale. Në takimin që u mbajt në Kuç të Vlorës kanë qenë të pranishëm 20 kryetarë bashkish, ata që preken nga ndryshimet e hartës territoriale si dhe kryetarët e bashkive qendër qarku.

Në takim kanë qenë të pranishëm:

  1. Kryetarja e Bashkisë Durrës
  2. Kryetari i Bashkisë Shkodër
  3. Kryetari i Bashkisë Kukës
  4. Kryetari i Bashkisë Elbasan
  5. Kryetari i Bashkisë Korçë
  6. 6. Kryetari i Bashkisë Berat
  7. Kryetari i Bashkisë Vlorë
  8. Kryetari i Bashkisë Gjirokastër
  9. Kryetarja e Bashkisë Klos
  10. Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë
  11. Kryetarja e Bashkisë Dimal
  12. Kryetari i Bashkisë Poliçan
  13. Kryetari i Bashkisë Patos
  14. Kryetari i Bashkisë Divjakë
  15. Kryetari i Bashkisë Selenicë
  16. Kryetari i Bashkisë Maliq
  17. Kryetari i Bashkisë Këlcyrë
  18. Kryetari i Bashkisë Cërrik
  19. Kryetari i Bashkisë Belsh
  20. 20. Kryetari i Bashkisë Libohovë

Reforma administrativo-territoriale do të vijojë me konsultime me bashkitë, komunitetet dhe aktorët e tjerë të përfshirë, me synimin për një organizim vendor më funksional, efikas dhe më pranë qytetarëve.