KËRCËNOI ME JETË GRUPIN E “ORA NEWS”/ Sinan Hamdi Idrizi kapet në ferra, pas ngjarjes gjatë xhirimeve në fshatin Zbarqe

Ky është Sinan Hamdi Idrizi që guxoi të kërcënonte me jetë grupin e xhirimit të “Ora News”
13 Gusht 2026
Nga OraNews.
Një grup xhirimi i Ora News u kërcënua me jetë gjatë realizimit të një kronike në fshatin Zbarqe të Tiranës. Gazetarja dhe operatori kishin shkuar në zonë pas denoncimit të banorëve për dëmtimin e një burimi historik të ujit të pijshëm. Policia Tiranës në një kohë rekord arriti të identifikojë dhe arrestojë autorin Sinan Hamdi Idrizi për këtë akt.
Një grup xhirimi i televizionit “Ora News” u përball me kërcënime të drejtpërdrejta për jetën, ndërsa ishte në krye të detyrës dhe po ushtronte misionin e informimit publik.
Autori i dyshuar i kërcënimit është identifikuar si Sinan Hamdi Idrizi, që shihni në këtë foto.

Siç tregojnë edhe këto pamje, ai i drejtohet me kërcënime, dhe fyerje gazetares dhe operatorit, ndërsa bën me shenje “të këpus kokën” teksa ata po realizonin kronikën në terren.
Ngjarja nisi pas një denoncimi të mbërritur në redaksinë e Ora News nga banorë të fshatit Zbarqe.
Ata pretendonin se ishte dëmtuar një burim historik i ujit të pijshëm, që prej brezash ka qenë në shërbim të komunitetit.
Për të verifikuar denoncimin, dokumentuar situatën dhe dëgjuar palët, grupi i xhirimit shkoi në zonë për realizimin e materialit televiziv.
Sipas banorëve, Sinan Hamdi Idrizi është personi përgjegjës për ndërhyrjen që ka cenuar burimin dhe zonën përreth.
Gjatë xhirimeve, situata agravoi dhe gazetarja së bashku me operatorin u përballën me kërcënime për jetën dhe fyerje.
Pas incidentit, të dy iu drejtuan menjëherë Policisë së Tiranës, ku depozituan kallëzim penal.
Policia reagoi pas denoncimit, identifikoi Sinan Hamdi Idrizin si autorë të ngjarjes dhe arriti ta arrestojë brenda një kohe record në një terren të vështirë malor në zonë ku ai ishte fshehur.
Çështja tashmë është në duart e autoriteteve, ndërsa Ora News vijon të dokumentojë dhe të raportojë shqetësimet e qytetarëve.
