8 Tetor 2025

Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katari dhe Turqia do të marrin pjesë sot në negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, që synojnë arritjen e një marrëveshjeje që synon të çojë në përfundimin e luftës në Rripin e Gazës.

Bisedimet do të mbahen në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, nën presionin ndërkombëtar në rritje për një zgjidhje që përfshin armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve.

Sipas diplomacisë së Katarit, kryeministri Mohammed bin Abdelrahman al-Thani udhëtoi për në Egjipt këtë mëngjes për të marrë pjesë personalisht në bisedime. Nga pala amerikane, i dërguari special i Presidentit të SHBA-së, Steve Ëitkoff, si dhe këshilltari dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, pritet të takohen me kreun e diplomacisë egjiptiane, Badr Abdelati.

Në të njëjtën kohë, Turqia po dërgon një delegacion nën drejtimin e shërbimeve të inteligjencës, Ibrahim Kalin , duke konfirmuar gatishmërinë e Ankarasë për të luajtur një rol në zhvillimet, duke pasur parasysh lidhjet e saj me Hamasin.

Bisedimet bazohen në një plan prej 21 pikash të paraqitur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili përfshin armëpushimin, shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, një tërheqje graduale të trupave izraelite nga Gaza dhe çarmatosjen e Hamasit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, foli dje për një ” mundësi reale ” të arritjes së një marrëveshjeje që do të shënonte fundin e luftës, e cila filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023. Megjithatë, ndërmjetësit pranojnë se mbeten shumë probleme, veçanërisht në lidhje me garancitë dhe mekanizmin për zbatimin e armëpushimit.

Qëndrimet e të dy palëve

Hamasi ka thënë se e konsideron planin e Trumpit “një bazë për një marrëveshje”, por ka kërkuar garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetësit se “lufta do të përfundojë përfundimisht”. Kryenegociatori i lëvizjes, Khalil al-Haya , tha nga Egjipti se “nuk ka besim tek Izraeli” dhe se kërkohet “një angazhim me garanci ndërkombëtare”.

Një burim në ekipin negociator të Hamasit i tha AFP-së se pala izraelite ka paraqitur hartat e para të tërheqjes së trupave, si dhe një orar për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve. Në të njëjtën kohë, televizioni shtetëror Al Qahera News raportoi se Hamasi po kërkon që Marwan Barghouti, udhëheqësi më i shquar palestinez që është ende i burgosur në Izrael, të përfshihet në listën e të liruarve.

Në të kundërt, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti dje se “ushtria do të mbetet në Gaza për aq kohë sa të jetë e nevojshme” dhe se “Hamasi duhet të çarmatoset plotësisht”. Ai deklaroi se mbështet planin e Trump, por këmbëngul në shkatërrimin e pushtetit të Hamasit dhe lirimin e të gjithë pengjeve si kushte.

Humbjet dhe presioni ndërkombëtar

Sipas shifrave të fundit, 67,160 njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës që nga fillimi i operacioneve izraelite, shumica e tyre civilë, ndërsa OKB-ja ka shpallur gjendje urie në disa zona të enklavës.
Sipas ushtrisë izraelite, bastisja e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023 vrau 1,219 persona, kryesisht civilë, dhe mori peng 251, nga të cilët 47 mbeten robër .

Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar situatën si një “katastrofë humanitare” dhe studiues të pavarur flasin për indikacione gjenocidi , diçka që Izraeli e hedh poshtë kategorikisht.