29 Tetor 2026

Nga: Gazeta Sot

Njihej si “iliri” i pushtetit dhe krahu i djathtë i Partisë Socialiste (Rilindjes), por dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka provuar mbi kurrizin e tij fytyrën e vërtetë të regjimit që vetë ndihmoi të ngrihej. Një lëvizje e rrufeshme, e fshehtë dhe me prapavijë të qartë hakmarrjeje politike ka tronditur themelet e sistemit penitenciar në vend.

Kryebashkiaku i Tiranës është “rrëmbyer” dje nga paraburgimi i Durrësit, ku qëndronte prej 10 shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në zyrën e tij dhe është transferuar me urgjencë drejt burgut të Fierit, ku është vendosur në izolim të plotë e pa asnjë të drejtë takimi, madje ekziston frika se atje z. Veliaj rrezikon të eliminohet edhe fizikisht.

Gjithçka ka shpërthyer vetëm 48 orë pasi Veliaj publikoi nga qelia një reagim goditës në rrjetet sociale, ku mbështeste të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe me gjuhë figurative i dërgonte një mesazh të qartë Edi Ramës: do të kesh fatin e Aleksandër Vuçiçit. “Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit! Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”.

Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate. Urime të përzemërta edhe shqiptarëve tanë në Serbi, të cilët, sipas projeksionit aktual, e rrisin përfaqësimin e tyre nga një në dy mandate. Një zë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi”, shkroi Veliaj në rrjetet sociale, duke përgëzuar studentët që rrëzuan nga pushteti Aleksandër Vuçiçin në Serbi.

Kjo deklaratë ka tërbuar kryeministrin, i cili, sipas burimeve të besueshme informative, thuhet se përmes Ballukut ka vënë në lëvizje drejtoreshën e re të Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, duke i kërkuar urdhrin e menjëhershëm të internimit të ish-bashkëpunëtorit të tij më të afërt.

Loja e ndyrë e Belinda Ballukut dhe urdhri telefonik i Edi Ramës, pse pikërisht në “territorin” e Fierit?

Por transferimi i Veliajt nuk është një lëvizje e zakonshme administrative apo një procedurë rutine e Drejtorisë së Burgjeve. SPAK nuk ka dërguar asnjë shkresë apo të dhënë zyrtare pranë DPB-së që të arsyetonte apo kërkonte zhvendosjen e tij nga Durrësi.

Gjithçka është kryer mbi bazën e një telefoni privat dhe një urdhri sovran e të prerë nga vetë Edi Rama. Lidhja me Fierin nuk është aspak e rastësishme. Ky qark është prapavija politike e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ku ajo ka ushtruar drejtimin politik të Partisë Socialiste dhe gëzon kontroll absolut mbi strukturat dhe institucionet vendore.

Dërgimi i Veliajt në “qendrën e ndëshkimit” të Ballukut merr trajtat e një simbolike të egër politike nga Edi Rama: rikonfirmimin e pushtetit të tij absolut brenda llojit dhe shtypjen pa mëshirë të çdo zëri që guxon të dalë nga rreshti. Pasi u përball me sfidën e Veliajt, Edi Rama tregoi se nuk heziton ta përdorë pushtetin e tij si mjet hakmarrjeje primitive.

Drejtoresha e re e burgjeve, në vend që të zbatojë ligjin dhe vendimet e gjykatave, ka zgjedhur të luajë rolin e një “kukulle” administrative që ekzekuton pa hezitim çdo kapriço politike të kryeministrit Rama dhe Belinda Ballukut, teksa kjo e fundit thuhet se katapultoi Sadleva Bodo në krye të sistemit penitenciar, pasi përzuri Adriatik Kupin, i cili thuhet se nuk i ishte bindur ish-zv/kryeministres alias “Lubisë” për të syrgjynosur kryebashkiakun Veliaj, të cilin ajo e ka armikun e saj më të madh.

Alarm në burgun e Fierit, Veliaj në izolim total, i ndalohet hyrja avokatit dhe Avokatit të Popullit

Ndërkohë tronditja më e madhe e këtij aksioni të papritur lidhet me shkeljen e hapur të të drejtave më bazike të njeriut. Sapo ka mbërritur në mesditë në ambientet e burgut të Fierit, kryebashkiaku i Tiranës është futur menjëherë në regjim izolimi. Vetë Veliaj është shprehur se nuk ka pasur asnjë dijeni për këtë lëvizje, “rrëmbim” siç e quan ai dhe se transferimi është kryer tërësisht pa miratimin e tij ligjor. “Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të më transferuar në burgun e Fierit. Pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga unë ashtu edhe nga avokati im, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, na është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti.

Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia. Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore. I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik”, shkroi dje Veliaj në rrjetet sociale.

Megjithatë situata është përshkallëzuar në kufijtë e skandalit institucional kur përfaqësuesit ligjore dhe autoritetet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut kanë mbërritur te dyert e burgut. Avokati Plarent Ndreca ka deklaruar dje për mediat publikisht se kryetari i Bashkisë së Tiranës ndodhet në izolim të rreptë dhe se atij i është refuzuar në mënyrë kategorike takimi me mbrojtësit e tij ligjorë. Por akti më i rëndë është ndalimi i hyrjes për Avokatin e Popullit, Endrit Shabani, i cili është penguar nga drejtuesit e burgut të vizitojë të paraburgosurin për të verifikuar kushtet e tij.

Madje këto i pohoi edhe dje në një letër nga izolimi në burgun e Fierit, kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ka cilësuar 6 kufizime dhe një çështje sigurie, pasi ndodhet në të njëjtin korridor me 3 vrasës serialë të ndërtuar me burg përjetë. “Futja në izolim për 10 ditë, pa ujë e dritare, pa kujdes mjekësor, refuzim i ushqimit, asnjë arsye për transferimin/izolimin, asnjë telefonatë për familjen dhe avokatin, në të njëjtin korridor me 3 vrasës serialë me burgim të përjetshëm”, shkruan Veliaj.

Ky izolim total tregon qartë se pushteti nuk kërkon thjesht përballjen e Veliajt me drejtësinë për akuzat që rëndojnë mbi të, por kërkon ta përdorë sistemin e dënimit si një mjet për të mbjellë terror te çdo zyrtar tjetër i lartë: kushdo që guxon t’i dalë kundër çiftit Rama-Balluku, qoftë edhe nga prapa hekurave, do të përballet me pasojat më të egra.