Transferimi i Erion Veliajt në burgun e Fierit, Drejtoria e Burgjeve: Urdhri është sekret shtetëror

29 Tetor 2026
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar lidhur me transferimin e Erion Veliajt në burgun e Fierit, pas spekulimeve mediatike mbi këtë lëvizje. Në një njoftim për shtyp, DPB sqaron se transferimi është kryer në kuadër të masave për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e institucioneve penitenciare.
Sipas institucionit, pas mbërritjes në IEVP Fier, Veliajt i janë zbatuar procedurat standarde të pranimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Më 28 tetor, ai u vendos në sektorin e observimit, ndërsa më 29 tetor strukturat përgjegjëse zhvilluan një takim me të, ku u dëgjuan pretendimet e tij dhe iu dhanë sqarime mbi të drejtat dhe detyrimet gjatë qëndrimit në institucion.
DPB bën të ditur se, pas përfundimit të procedurave të pranimit, komisioni përkatës ka vijuar me sistemimin e plotë të Veliajt, bazuar në vlerësimin individual.
Sa i përket urdhrit të transferimit, Drejtoria e Burgjeve sqaron se dokumenti është miratuar sipas procedurave standarde, por është i klasifikuar si “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi dhe vënia e tij në dispozicion i nënshtrohen rregullave ligjore për informacionin e klasifikuar.
Në njoftim theksohet gjithashtu se për transferimin është njoftuar organi i prokurorisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Drejtoria e Burgjeve i referohet ligjit për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve, si dhe Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, duke nënvizuar se nxjerrja e urdhrave të transferimit për arsye të përligjura është kompetencë e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Për të argumentuar se transferimet janë pjesë e praktikës së zakonshme, DPB bën të ditur se gjatë periudhës 16–27 tetor 2026 janë kryer 24 transferime brenda kuadrit ligjor.
Në përfundim, institucioni thekson se do të vijojë të marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e burgjeve, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e personave të burgosur.
Reagimi i plotë:
Nisur nga spekulimet e shumta mediatike, vendosëm të bëjmë këtë njoftim të pazakontë për shtyp lidhur me procedura standarde të brendshme të punës.
Transferimi i shtetasit E.V është kryer në kuadër të masave që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë së fundmi për sigurinë dhe garantimin e mbarëvajtjes së institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.
Në vijim të transferimit e të paraburgosurit E. V. në IEVP Fier, janë zbatuar procedurat e pranimit të parashikuara në nenin 38 të ligjit nr. 81/2020, datë 25.6.2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe në nenin 15 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, miratuar me vendimin nr. 209, datë 06.04.2022, të Këshillit të Ministrave.
Në zbatim të nenit 15, pika 4, të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, më datë 28.10.2026 i paraburgosuri E.V u vendos në seksionin e pranimit (observimit) dhe u trajtua korrektësisht dhe në përputhje me kuadrin ligjor si për të gjitha rastet e tjera.
Më datë 29.10.2026, strukturat përgjegjëse të IEVP Fier kanë zhvilluar takim me të paraburgosurin E.V në ambientet e sektorit të observimit. Gjatë takimit janë dëgjuar pretendimet e tij dhe janë dhënë sqarime mbi të drejtat dhe detyrimet mbi qëndrimin në institucion. Në përfundim, komisioni i pranimit ka vijuar me sistemimin e tij të plotë, në përputhje me vlerësimin individual dhe procedurat përkatëse.
Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Shtojmë se në rastin e të paraburgosurit E. V., është kryer edhe njoftimi i organit të prokurorisë, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
Në mbështetje të nenit 78 të ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe të neneve 106–108 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, miratuar me vendimin nr. 209, datë 6.4.2022, të Këshillit të Ministrave, urdhri i transferimit për çdo arsye të përligjur nxirret nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Vlerësimi dhe vendimmarrja për transferimin përfshihen në kompetencën dhe diskrecionin administrativ të Drejtorit të Përgjithshëm, si praktikë normale pune e ushtruar brenda kushteve dhe kritereve ligjore, mbi bazën e dokumentacionit të administruar.
Nga DPB prej datës 16.10.2026 deri më datë 27.10.2026 janë kryer 24 (njëzet e katër) transferime brenda kuadrit ligjor.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon të marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, parandalimin e ngjarjeve dhe mbarëvajtjen e institucioneve, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e personave të burgosur.
